Gazetare: Amila Rashiti
Mbi 30 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve të marra nga stuhia e një dite më parë. Në Spitalin e Qytetit të Shkupit “Shën Naum i Ohrit” për kontrolle janë paraqitur mbi 20 persona, shumica me lëndime të lehta trupore, ndërsa 2 janë shtruar në spital. Njëri prej tyre është shtetas i huaj, ndërsa u lëndua pasi i ra pema.
“Në institucionin tonë për kontroll janë paraqitur gjithsej 22 pacientë. Dy janë shtruar në spital. Njëri është operuar gjatë mbrëmjes për shkak të frakturës në pjesën e shputës së këmbës. Ndërsa pacienti tjetër është shtetas i huaj, turist, i cili u lëndua pasi mbi të ra një dru. Ai është lënduar në zonën e legenit, por nuk ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale,” tha Nebojsha Nastov, Drejtor i Spitalit “Shën Naum i Ohrit”.
Ndërkohë në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” ndihmë mjekësore kanë kërkuar mbi 10 persona, një pjesë e të cilëve më lëndime serioze.
“Në Qendrën Klinike Nënë Tereza janë pranuar 11 persona të lënduar nga stuhia e mbrëmshme, prej të cilëve disa kanë lëndime më serioze dhe janë dërguar në klinikat përkatëse për të marrë trajtimin e nevojshëm,” deklaroi Sasho Klekovski, Ministër i Shëndetësisë.
Sipas autoriteteve shëndetësore gjendja e të gjithë të lënduarve është e qëndrueshme. Ndërkohë dëme të konsiderueshme kanë pësuar edhe shumë institucione shëndetësore. /Alsat.mk
The post Stuhia lë dhjetëra të lënduar, autoritetet: Gjendja e tyre është stabile appeared first on Alsat.



