Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka reaguar lidhur me sulmet në veri të Kosovës, nga ku u dëmtua kanali i ujit të Ibër Lepencit, duke dënuar me forcë këto akte të dhunës.
Përmes një reagimi zyrtar, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shprehet se raste të tilla të përsëritura janë veprime të qëllimshme për të minuar integritetin e Kosovës, ashtu sikurse thekson se ato bëhen kërcënime serioze për sigurinë dhe stabilitetin në rajon
NJOFTIM
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë dënon me forcë sulmet kriminale dhe terroriste të ditëve të fundit në Kosovë, të cilat përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Aktet e përsëritura të dhunës, përfshirë shpërthimin e granatave pranë institucioneve dhe dëmtimin e kanalit jetik, ujësjellësit të Ibër-Lepencit, janë veprime të qëllimshme për të minuar integritetin e Republikës së Kosovës dhe për të krijuar pasiguri te qytetarët e saj.
Sulmi ndaj kanalit Ibër-Lepenc, që furnizon qytetet me ujë dhe KEK-un me burime për prodhimin e energjisë, është një akt i paprecedentë dhe kriminal që kërcënon furnizimin me ujë dhe energji për mijëra qytetarë. Kjo përbën një përpjekje të qartë për të goditur infrastrukturën kritike dhe për të paralizuar jetën normale të qytetarëve të Kosovës.
Ne ndajmë shqetësimin e institucioneve të Republikës së Kosovës se këto sulme janë organizuar dhe orkestruar nga struktura kriminale dhe paramilitare, të mbështetura nga Beogradi zyrtar.
Përfshirja e figurave të njohura për aktivitetet e tyre destabilizuese në rajon është një kërcënim i drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë e të gjithë Ballkanit.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, që të ushtrojnë presion mbi Serbinë për të ndalur mbështetjen ndaj këtyre veprimeve destabilizuese dhe për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Gjithashtu, u bëjmë thirrje qytetarëve të Kosovës të ruajnë qetësinë dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve shtetërore përballë këtyre provokimeve.
Në këtë moment kritik, qëndrojmë të bashkuar me institucionet e Republikës së Kosovës dhe popullin e saj, duke riafirmuar mbështetjen tonë të palëkundur për ruajtjen e paqes, demokracisë dhe të drejtës ndërkombëtare.
Këto akte terroriste dhe kriminale nuk do të triumfojnë, pasi drejtësia dhe shteti ligjor do të dalin sërish fitimtarë.