Super ekspertiza: Në rastin e ish-sekretarit të MASHT-it dhe ish-sekretarit të Kushtetueses s’ka dëmtim të buxhetit

Eksperti financiar Mujë Ferati, i cili së bashku me ekspertët Baki Morina dhe Mentor Prekazi, kishin përpiluar super ekspertizën financiare, në seancën e së premtes, tha se në bazë të dokumentacionit ekzistues të akuzuarit Xhavit Dakaj dhe Milot Vokshi, nuk kishin përfituar dobi pasurore të kundërligjshme dhe se nuk kishte dëmtim të buxhetit të shtetit.

Ish-sekretari i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Xhavit Dakaj dhe ish-sekretari i Gjykatës Kushtetuese, Milot Vokshi akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe cenim të barazisë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike.

Ky rast i cili me 19 qershor 2017, ishte kthyer në rivendosje nga Gjykata e Apelit, është rast i shënjestruar për liberalizim të vizave.

Dakaj dhe Vokshi, ishin shpallur fajtorë për këto dy vepra penale në dhjetor të vitit 2016 dhe sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Dakaj ishte dënuar me 10 muaj burgim efektiv, ndërsa Vokshi me 6 muaj.

Gjykata e Apelit, kishte kërkuar nga prokuroria që të bëj edhe njëherë precizimin e akuzës, pasi që sipas kësaj gjykate, dispozitivi ishte i paqartë.

Ndryshe, në këtë rast ishin bërë edhe ekspertiza tjera nga ekspertët financiare Xhevdet Krasniqi, Riza Blakaj dhe Dibran Jashari, të cilët në seancën e mbajtur me 17 janar të këtij viti, kishin elaboruar ekspertizat e tyre, por pasi palët në procedurë kishin reaguar se këto ekspertiza ishin kundërthënëse me njëra-tjetrën, ishte vendosur që të behej një super ekspertizë.

Eksperti Mujë Ferati tha se gjykata me anë të urdhëresës kishte kërkuar që të bëhet kjo super ekspertizë, dhe sipas tij, çështjet kryesore të kësaj ekspertize, kishin qenë çështja e prokurimit dhe çështja financiare.

“Në mes tjerash është kërkuar të konstatohet se a ka pas dëmtime të buxhetit nga autoriteti kontraktues apo dëmtim të buxhetit të konsoliduar të Kosovës, dy të akuzuarit a kanë bërë shkelje me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes në mes të Gjykatës Kushtetuese dhe MASHT-it, a janë dëmtuar operatorët ekonomik, a kanë pasur të drejtë nënshkrimi personat përgjegjës në marrëveshjen e memorandumit mes MASHT-it dhe Gjykatës Kushtetuese, a iu ka mundësuar operatorëve ekonomikë përfitimi i kundërligjshëm pasuror nga ana e autoritetit kontraktues, sa ka qenë fitimi dhe humbja. Kjo ka qenë thelbi që është kërkuar nga ne si ekspert”, tha eksperti Ferati.

Më pas, eksperti tha se kishin qenë të obliguar të konstatojnë se në çështjen e prokurimit kishte pasur lëshime, ngase sipas tij, autoriteti kontraktues nuk i ishte përmbajtur rekomandimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

“Lëshimi i parë është se rekomandimi i OSHP-së është dashtë të përfillet dhe të bëhet ritenderimi. Në prokurim nuk merren parasysh marrëveshjet dhe memorandumet, mirëpo, nga praktika ekzistuese në çështjen e prokurimit marrëveshjet e tilla kanë ekzistu janë nënshkruar dhe ende zbatohen. Ndërsa, për mendimin tonë e vetmja arsye që ka ardh deri te nënshkrimi i marrëveshjes së memorandumit mes Gjykatës Kushtetuese dhe MASHTI-it është shfrytëzimi i buxhetit në mënyrë racionale, duke pasur për bazë faktin se në mënyrë të rregullt është bërë zotimi i mjeteve nga MASHT-i, në shumë prej 120.000 euro, janë kryer të gjitha procedurat në mënyrë të rregullt duke filluar nga inicimi i prokurimit, deri te vendimi për mbështetje financiare”, tha eksperti.

Mirëpo, sipas tij, rreziku se mjetet buxhetore mund të humbnin, ngase rregulla financiare e thesarit dhe Ligji mbi Financat dhe Paranë Publike i përcaktonte afatet kohore me të cilat duhet të kryhet shpenzimi, për shkak të vonesave të ri tenderimit dhe pasi kishte qenë muaji nëntor dhe fillimi i muajit dhjetor 2014, sipas ekspertit, një ri tenderim i serishëm do të pasonte me marrjen e mjeteve buxhetore nga ana e Ministrisë e Ekonomisë dhe Financave, për autoritetin kontraktues MASHT.

Po ashtu, sipas tij, mjetet buxhetore që nuk shfrytëzoheshin për atë vit fiskal nuk kishin mundësi të barteshin për vitin e ardhshëm, por sipas ekspertit, veprimtaria e prokurimit për vitin 2014, është dashur të vazhdohet me mjetet e buxhetit të vitit 2015.

“Për këtë arsye ne si grup i ekspertëve mendojmë se ka ardhur deri tek nënshkrimi i kësaj marrëveshje të memorandumit, por mendojmë se nuk ka dëmtim të buxhetit të autoritetit kontraktues dhe as të buxhetit të Kosovës për arsye se kontrata kornizë e shfrytëzuar nga Gjykata Kushtetuese dhe furnizuar nga operatori ekonomik “Grafo-Loni” nuk ka asnjë shmangie nga çmimet ekzistuese të kontratës të Gjykatës Kushtetuese”, shtoi eksperti.

Ai tha se autoriteti kontraktues kishte pasur në disponim mjetet buxhetore në shumë prej 120.000 euro për këtë aktivitet të prokurimit, dhe sipas ekspertit, në rast se këto mjete nuk shfrytëzoheshin gjatë atij viti, ato mjete nga autoritetit kontraktues ktheheshin në buxhet.

Sipas ekspertit, operatori “Grafo-Loni”, kishte ofruar çmimin më të lirë dhe i kishte plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara, prandaj sipas tij, nuk ishte dëmtuar apo vënë në pozitë të pa lakmueshme asnjë operator tjetër.

Këtë konstatim, eksperti tha se e kishin bazuar në bazë të kontratës ekzistuese të Gjykatës Kushtetuese.

Ai tha se faturimi dhe pagesa si dhe zbatimi i kontratës ishin në përputhshmëri të plotë me Ligjin për Menaxhimin e Parasë Publike, dhe se sipas tij, sipas këtij ligji nuk kishte pasur shkelje.

Sipas ekspertit, as operatori ekonomik “Grafo-Loni”, me rastin e kryerjeve të shërbimeve për borim, nuk kishte pasur përfitim pasuror të kundërligjshëm.

“Fitimi prej punës apo veprimtarisë së Grafo-Lonit është fitim në vlerë 21.338.78 euro. Me këtë shumë duhet ti kthehet TVSH-ja dhe tatimi në fitim ATK-së, kështu që fitimi i pastër neto pas shpenzimeve operative është diku rreth 6 mijë euro” tha eksperti.

Ndryshe, në këtë seancë ka munguar eksperti financiar Mentor Prekazi, dhe për këtë arsye, prokurori Faik Halili i propozoi gjykatës që pasi Prekazi ishte pjesë e grupit të ekspertëve të ftohet për të dëshmuar, pasi sipas prokurorit, deklarata e ekspertit Mujë Ferati, ndryshonte me përgjigjet e ekspertizës.

Po ashtu, prokurori Halili propozoi që të ftohen pronarët e operatorëve ekonomikë që kishin aplikuar në tenderin e parë, me qëllim që të deklarohen nëse kishin qenë të cenuar në rastin kur nuk është ri tenderuar.

Këto propozime i kundërshtuan mbrojtësit e dy të akuzuarve, avokatët Hamdi Podvorica dhe Teki Bokshi, ndërsa trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Vehbi Kashtanjeva refuzuan propozimin për marrje në pyetje të operatorëve ekonomikë, ndërsa aprovuan propozimin që të ftohet eksperti Mentor Prekazi.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 4 qershor 2018, në ora 13:00.

Në dhjetor të vitit 2015, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhevat Dakaj, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për kryerjen e veprës penale ”keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” në bashkëkryerje me Milot Vokshin, sekretar i përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës duke i tejkaluar kështu kompetencat e tyre ku më 12 dhjetor 2014 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore , për vete apo persona tjerë në mënyrë të kundërligjshme lidhin marrëveshje të mirëkuptimit mes institucionit ku punojnë, përkatësisht mes MASHT-it dhe Gjykatës Kushtetuese me qëllim të shfrytëzimit të kontratës publike kornizë, nga ana e MASHT-it.

Kjo kontratë ishte lidhur më herët nga Gjykata Kushtetuese dhe kompania “Grafo-Loni”, për shtypjen e librave dhe materialeve tjera  për shtypje , duke i mundësuar këtij subjekti përfitime në vlerë prej 31,612.60 euro, për të cilën shumë është dëmtuar edhe buxheti i shtetit të Kosovës.

Të njëjtët akuzoheshin për “cenim të barazisë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike”, ngase sipas prokurorisë duke kufizuar qarkullimin e shërbimeve, kanë ngushtuar konkurrencën dhe i kanë vënë subjektet tjera biznesore “XHAD”, “KGT”, “Printing press”, “NORD”, “Blendi” dhe “Prograf” në pozita të pabarabarta për të favorizuar “Grafo-Lonin”.

PSRK-ja kishte përfshirë edhe tre zyrtarë tjetër për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, Xhemajl Buzukun, zyrtarë i prokurimit, Fehmi Zylfiu, zyrtar financiar në MASHT dhe Bukurije Borovci, zyrtare certifikuese, ku në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik (LPP) dhe Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike, akuzoheshin se kishin lejuar të kryhen pagesat në emër të kompanisë “Grafo-Lonin”.

Këto pagesa sipas PSKR-së ishin lidhur për furnizimin me libra dhe broshura  për MASHT-in, duke u bazuar në marrëveshjen e jashtëligjshme  të mirëkuptimit mes MASHT-it dhe Gjykatës Kushtetuese e kështu duke i mundësuar kësaj kompanie përfitim të jashtëligjshëm./betimiperdrejtesi.com

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme