Supremja e rrëzoi vendimin e Penales për mosekstradimin e ish ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani në Serbi

Gazetar: Suad Bajrami

Gjykata Supreme e ka hedhur poshtë vendimin e Gjykatës Penale të Shkupit, me të cilin u vendos që të mos ekstradohet ish ushtari i UÇK-së, Blerim Ramadani, i cili kërkohej nga Serbia pas një fletëarresti nga Interpoli nën dyshim për krime gjatë luftës së Kosovës, 25 vite më parë, shkruan Alsat.

Ndonëse Ramadani nuk ndodhet në vend, pasi u arratis në ditën kur iu zëvendësua masa e paraburgimit shtëpiak me atë efektiv,  Supremja, urdhëron që Penalja sërish ta shqyrtojë ekstradimin e tij. Vendimi paraprak i Penales, sipas Supremes është i paqartë, i pakuptueshëm dhe nuk ka arsye relevante për miratimin e vendimit të tillë.

“Këshilli Penal i Sektorit për Krim të Organizuar dhe Korrupsion në Gjykatën Themelore Penale Shkup, gjatë miratimit të vendimit të saj me të cilin ka konstatuar se nuk janë plotësuar parakushtet ligjore për ekstradim të personit në fjalë, nuk ka sqaruar arsyet mbi të cilat është udhëhequr kur ka pranuar se procedura e filluar në bazë të nenit 75 paragrafi 1 nga Ligji për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Materien Penale, si procedurë e shkurtër të udhëhiqet si procedurë e rregullt në pajtueshmëri me nenin 68 në lidhje me nenin 51 të ligjit të njëjtë”, tha Gjykata Supreme e RMV-së.

Derisa çështja për ekstradimin e Ramadanit të arratisur duhet të rikthehet nga e para, policia dhe gjykata drejtojnë gishtin nga njëra-tjetra për përgjegjësinë e arratisjes.

Gjykata Penale, arsyetohet se policia ka qenë përgjegjëse ta ruajë Ramadanin në paraburgim shtëpiak dhe atyre u ka ikur. Ndërkaq, nga Ministria e Punëve të Brendshme theksojnë se me vendimin e gjykatës për zëvendësimin e masës së paraburgimit efektiv me atë shtëpiak, është bërë precedent në praktikë.

“Theksojmë se veprimi i mëtutjeshëm i gjykatës nuk është kompetencë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, por duke e pasur parasysh rëndësinë dhe seriozitetin e veprës për të cilën ngarkohet dhe duke e pasur parasysh se bëhet fjalë për shtetas të huaj, gjykata miraton vendim, të cilin institucionet shtetërore rëndë mund ta zbatojnë në tërësi. Gjegjësisht, masa e paraburgimit shtëpiak për shtetas të huaj në adresë të huaj të vendbanimit është precedent në praktikën e deritanishme”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ramadani është arrestuar më 17 korrik në pikën kufitare në Jazhincë, me një fletëarrest të lëshuar nga Serbia. Ai për dy javë ka qëndruar në paraburgim në Shutkë ndërsa më pas, gjykatësi Pajazit Pajaziti ia ka zëvendësuar masën e paraburgimit efektiv me atë shtëpiak. Për këtë, Prokuroria ka dorëzuar ankesë.

Ndaj ankesës së Prokurorisë, ka vepruar Këshilli Penal prej tre gjyqtarëve, të cilët më 14 gusht e kanë rrëzuar vendimin e Pajazitit dhe e kanë rikthyer vendimin për dërgimin e Ramadanit sërish në Shutkë. Megjithatë, në po të njëjtën datë, Ramadani është arratisur. Për këtë Këshilli Gjyqësor ka formuar komision, i cili duhet ta shqyrtojë përgjegjësinë e Pajazitit. Ndonëse nga Këshilli informojnë se po punojnë intensivisht, megjithatë edhe pas një javësh pas formimit të komisionit, ende nuk është gati raporti për gjendjen e konstatuar./ Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme