Supremja: Paraburgimi për të dyshuarit për terrorizëm, pa prova

Masa e paraburgimit që u caktua ndaj 14 personave të arrestuar nën dyshimin se po planifikonin sulme terroriste në Kosovë dhe rajon, sipas vendimit të Gjykatës Supreme nuk i ka plotësuar kushtet ligjore të kërkuara me procedurë penale.

Gjykata Supreme e Kosovës ka anuluar vendimet e Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe Gjykatës së Apelit lidhur me paraburgimin ndaj 14 të dyshuarve për terrorizëm, duke kërkuar prova të reja nga Prokuroria.

Masa e paraburgimit që u caktua ndaj 14 personave nën dyshimin se po planifikonin sulme terroriste në Kosovë dhe rajon, sipas vendimit të Gjykatës Supreme nuk i ka plotësuar kushtet ligjore të kërkuara me procedurë penale.

“Nga shkresat e lëndës rezulton se absolutisht nuk ekziston asnjë provë që kërkohet në këtë fazë të procedurës për ta bërë dyshimin e bazuar dhe asnjë provë që do e bënte frikën të bazuar se nëse ndodhen në liri të pandehurit do të pengonin procesin hetimor”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Më tej, vendimi i Supremes thotë se aktvendimi me të cilin iu caktua paraburgimi nga Gjykata Themelore është thjeshtë narrativ dhe pa asnjë provë.

“Gjetja e laptopëve, e literaturës islame, e ndonjë përmbajtjeje në gjuhë arabe, nuk janë prova se këta persona i përkasin grupit terrorist”, thuhet në vendim.

Duke përdorur një gjuhë shumë kritike ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në vendimin e Gjykatës Supreme thuhet se caktimi i paraburgimit pa prova mund të cenojë sigurinë juridike të qytetarëve.

“Në të drejtën penale përpos që vlen prezumimi i pafajësisë, vlen edhe standardi se ndaj askujt nuk mund të fillohet procedura penale pa ekzistuar dyshimi i bazuar i cili mund të faktohet nga paditësi dhe të arsyetohet nga gjykata. Pa këto kushte ligjore, procesi penal – paraburgimi,  del të jetë arbitrar, njëkohësisht cenon sigurinë juridike të qytetarëve, ndërsa në rastin konkret as prokuroria as gjykata nuk kanë theksuar asnjë provë që të vërtetojnë faktin relevant për caktimin e paraburgimit, “dyshimin e bazuar”, pa të cilin askujt nuk mund t’i caktohet paraburgimi”, thuhet në vendim.

Vendimi i Gjykatës Supreme, të cilin KALLXO.com e ka siguruar, është po kaq kritik edhe ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit.

“Gjykata e Apelit pa asnjë analizë kritike dhe pa asnjë përgjigje në pretendimet e parashtruara ka konfirmuar aktvendimin e paligjshëm të gjykatës së shkallës së parë, me arsyetimin “gjeneroz dhe sterotipe të zakonshme në stilin “nuk qëndrojnë pretendimet nga ankesa”, pa dhënë asnjë arsye se në cilat dimensione vendimi qenka i ligjshëm”, thuhet në vendimin e Supremes.

Duke u bazuar në të gjitha këto të gjetura Gjykata Supreme ka anuluar vendimet e Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit për caktimin të paraburgimit, duke e kthyer këtë në rivendosje ndërsa u ka vazhduar paraburgimin të dyshuarve deri në vendimin e ri të Gjykatës Themelore.

Seanca do të mbahet ditën e premte.

Avokati i njërit nga të dyshuarit e këtij rasti, Mahmut Halimi, thotë se tani Prokuroria obligohet që me prova të artikulueshme të arsyetojë pretendimin e saj.

“Prokuroria duhet me prova të artikulueshme të dëshmojë nivelin e dyshimit të bazuar dhe jo të kapen njerëzit në rrugë dhe t’u vihet ndonjë atribut që ndoshta nuk e kanë sepse të gjitha dispozitat penale e kanë parimin e prezumimit të pafajësisë. Askush nuk mund të konsiderohet fajtor pa vendim të formës së prerë”, tha Halimi.

Nën dyshimin se po përgatisnin sulme terroriste në Kosovë dhe se kishin kontakte me Lavdrim Muhaxherin, Policia e Kosovës arrestoi 17 persona ndërsa ndaj tyre prokurorja Merita Bina-Rugova kërkoi caktimin e paraburgimit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme