Sulmi rus mbi Ukrainën nuk është duke e vënë Serbinë në pozicion të pafavorshëm, siç po perceptohet nga shumë shtete. Kështu vlerësoi, në Rubikon në Klan Kosova, shkrimtari dhe publicisti Veton Surroi.
Sipas Surroit, presidenti serb, Aleksander Vuçiq, po i përdor zhvillimet në lindje të kontinentit për të përfituar edhe nga Perëndimi edhe nga Rusia.
“Presidenti Vuçiq është duke e përdorur, për të mirën e tij, një pozicion, i cili dukej i disfavorshëm gjeopolitikisht, por për të është i favorshëm. I disfavorshëm në kuptimin që shumë vende, përfshirë edhe Kosova, e perceptojnë Serbinë si zgjatje gjeopolitike të Rusisë, por presidenti Vuçiq është duke e përdorur atë duke u vendosur si një shtet që është në gjendje të lëvizë drejt perëndimit, por e ka çmimin e vet për këtë punë dhe derisa të vendoset ky çmim, ai është duke e përdorur”.
“Nga ana tjetër, duke i thënë edhe Rusisë që është një vend i cili mund të jetë i afërt me Rusinë dhe ka një çmim për këtë dhe çmimi për këtë është gazi i lirë dhe një kontratë trevjeçare për gaz, ky bilanc deri tani i ka funksionuar zotit Vuçiq dhe në momentet kur ushtrohet trysni ndaj tij për çështjen e Rusisë, ai e nxjerr në pah kartën e Kosovës dhe thotë që do të jetë kooperativ në çështjet e Kosovës”, tha Surroi.
Surroi tutje e cilësoi Vuçiqin si lojtarin më të shkathët të rajonit, njofton Klankosova.tv.
“Zoti Vuçiq është lojtari më i urryer të themi në regjion dhe i shkathët padyshim dhe duke përdorur të gjithë atë atutë, përfshirë edhe ato që janë destabilizuese, për shembull rastin e Malit të Zi, apo përpjekjeve të përhershme destabilizuese në Kosovë,” tha Surroi.