Ali Rexha është suspenduar nga puna si Prokuror Special. Vendimi i është bërë i ditur sot pasi nuk është lejuar të hyjë në Prokurori. Pezullimi nga puna ka ardhur pasi kishte nisur hetimin e dy kolegëve të tij për konflikt interesi. Kohë më parë, Rexha kishte bërë edhe denoncime tjera për kolegët. Në një rast kishte thënë se ka udhëheqës të Prokurorisë që ngucin gra të huaja.
Komisioni Disiplinor i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) ka suspenduar nga puna prokurorin e Prokurorisë Speciale, Ali Rexha i cili këtë javë kishte konfirmuar për KTV-në nisjen e hetimeve parapenale për zëvendëskryeprokuroren e Shtetit, Sevdije Morina dhe kryeprokurorin e Gjilanit, Jetish Maloku.
Mëngjesin e sotëm, ai nuk është lejuar të hyjë në objektin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës duke i dhënë vetëm lajmin e suspendimit.
I kontaktuar nga KTV-ja, Rexha ka konfirmuar lajmin, deri sa ka thënë se do të presë ditën e hënë për të parë se çka shkruan në vendimin e suspendimit.
Lajmin e suspendimit të Rexhës për KTV e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku.
Përderisa kryetari i Komisionit Disiplinor të KPK-se, Arben Ismajlj i kontaktuar nga KTV-ja, mohoi suspendimin e prokurorit Rexha, kryeprokurori i PSRK-së tha se Prokurori Rexha është suspenduar nga vet Komisioni Disiplinor i KPK ku Ismajli, është kryetar i këtij Komisioni.
Rexha kishte nisur hetimet për ish-anëtarët e KPK-së, Morina e Maloku, të cilët Më 2015 jashtëligjshëm kishin vendosur t’ia zgjasin vetes mandatin.
Ambasada Amerikane, BE dhe Agjencia Kundër Korrupsion kishin ngritur zërin lidhur me mandatin e kundërligjshëm qysh atëherë.
Ali Rexha, një Prokuror Special brenda një periudhe njëvjeçare i kishte shkruar dy Letra me akuza të renda në drejtim të kolegëve të tij.
Në letrën e dytë, Rexha, ka thënë se posedon fakte se shefat në sistemin prokurorial po keqpërdorin pozitën e tyre zyrtare me gra të huaja. Ka thënë se ata po bëjnë sjellje donzhaneske. Nuk ka dhënë emra por është shprehur i gatshëm të dëshmojë.
Më 12 korrik të vitit 2016, Prokurori Special, Ali Rexha, kishte shkruar një letër të gjatë në adresë të të gjithë kolegëve të tij. Ishte ankuar se nuk po avancohej dhe po keqtrajtohej për shkak se po “punon shumë”.
Për shkak të akuzave që kishte bërë në Letrën e parë, Rexha ishte denocnuar dhe nxjerr para Zyrës së Prokurorit Disiplinor si i paraqitur. Seanca e parë ndaj tij ishte mbajtur më 13 prill të vitit 2017. Pra, seanca e parë ndaj tij ishte mbajtur 9 muaj pasi e kishte shkruar Letrën e parë.
“Kam prova se këta menaxherë në orar zyrtar, në hapësira zyrtare apo publike, bëjnë sjellje donzhuaneske me gra të huaja. Ky gjest është sjellje e skajshme primitive. Kjo është keqpërdorim më primitiv i detyrës zyrtare”, shkruante më tej Rexha, në pikën 10 të akuzave të tij në adresë së udhëheqësve.