“Syri i Popullit” quhet organizata e Murat Jasharit

Atentatori i avokatit Azem Vllasi, Murat Jashari, së bashku me Avni Llumnicën kishin hyrë në Kosovë me një veturë të tipit BMW më 05 mars 2017, në orën 00:00, saktësisht në mesnatë.

 

Për shkak të aktivitetit të tij të dyshimtë, Murat Jashari ishte vëzhguar kohëpaskohe nga autoritetet e sigurisë dhe arsyeja e ardhjes së tij, edhe para se të sulmohej avokati Azem Vllasi, dyshohej se ishte ndërmarrja e ndonjë atentati që më pas edhe të promovohej organizata “Syri i Popullit”, e cila kishte për detyrë të bëjë atentate në persona të caktuar brenda Kosovës.

Ndërmarrja e atentatit të parë nga vetë Murat Jashari dyshohet se ishte bërë qëllimshëm prej tij si prijës i grupit për t’iu dhënë guxim pjesëtarëve të tjerë, ku vetëm si pjesë e Këshillit Organizativ mësohet se janë gjithsej 12 persona.

Pas çdo aksioni të tyre, duke dhënë edhe arsyet e veta, kjo organizatë kishte planifikuar të lëshonte edhe komunikata për të marrë përgjegjësinë për ekzekutimet që do i bënin. Kryesisht target i saj ishin deputetët dhe udhëheqësit politikë që përkrahin demarkacionin, një temë mjaft aktuale kjo, porse në listat e tyre thuhet se bënin pjesë edhe personalitete publike që në forma të ndryshme kanë qenë aktive në politikë prej vitit 1981.

Sipas burimeve të afërta me rastin, dyshohet se atentati i tij në këto ditë marsi ndaj Azem Vllasit ndërlidhet simbolikisht edhe me marsin e vitit 1981 kur studentët për herë të parë kishin nisur protestat masive kundër ish-Jugosllavisë. Indeksonline ka siguruar përshkrimin e organizatës së tij, të cilën Murat Jashari ua ka shpërndarë disa grupeve me interes, të njohura për organet e sigurisë.

Në prezantimin e organizatës së tij, të cilin e posedon redaksia e Indeksonline dhe për arsye të mos dëmtimit të hetimeve nuk e bën publik në tërësi, udhëheqësit e tri luftrave të fundit në trojet shqiptare, përkatësisht luftrave në Kosovë, Kosovë Lindore dhe Maqedoni, Murat Jashari pretendon se kanë bërë puç në mekanizmin politiko-ushtarak dhe nuk do ta zgjidhin drejtë çështjen shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Lidershipin shqiptar, Jashari në prezantimin e tij e sheh si të lidhur ngushtë me shërbimet e shteteve të ndryshme.

“Duke e ditur se këto dy kategori të politikanëve nuk e zgjidhin drejtë çështjen shqiptare, nga gjiri i popullit janë bashkuar shumë Avni Rrustema për ta vrarë tradhtinë”, shkruan Jashari në prezantimin e organizatës së tij.

Kjo organizatë quhet Lëvizja “Syri i Popullit” dhe sipas Murat Jasharit, ajo ka vëzhguar në mënyrë sistematike të gjitha personalitetet publike, në gjithë hapësirën shqiptare (edhe në Shqipëri), pushtetin lokalë dhe qendrorë, si dhe klerikët fetarë.

“Organizata është mirë e organizuar. Ka Shtabin Qendror, ku në të përfshihen: Grupi Politik dhe Grupi i Operativës. Ka Grupet Guerile (GG) në gjithë hapësirën shqiptare”, shkruan Jashari në prezantimin e organizatës së tij.

Ai thotë se kjo organizatë do të hakmerret edhe ndaj të gjithë atyre që kanë marrë votën e popullit dhe nuk kanë bërë asgjë për popull.

“Ka qenë imperativ i kohës dhe domosdoshmëri e krijimit të këtij mekanizmi, pararojë e popullit liridashës shqiptar të shumë vuajtur ndër shekuj prej shumë pushtuesve. Ekzistimi i organizatës është në favor të popullit shqiptar dhe të tjerëve”, thuhet në shkresën informuese të organizatës së Jasharit.

Derisa sistemi i drejtësisë në gjithë hapësirën shqiptare çalon, Jashari thotë se organizata e tij do t‘i ndëshkojë fajtorët e kësaj gjendjeje.

Në fund të përshkrimit të Lëvizjes “Syri i Popullit”, Murat Jashari shkruan se në të ardhmen kjo organizatë do të nxjerrë edhe subjekte politike me pikëpamje socialdemokratike në Maqedoni, Kosovë, Kosovë Lindore (Preshevë, Medvegjë e Bujanoc), në Mal të Zi (Malësinë e Madhe) dhe në Shqipëri, me të reja e të rinj, pa hipoteka të së kaluarës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme