Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri apelon tek autoritet e Serbisë që t’i përgjigjen institucioneve të Kosovës në katër kërkesat e drejtuara tek ta, për sigurimin e dëshmive në rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Thotë se tashmë Kosova ka dërguar informata relevante të kërkuara nga shteti fqinj, duke potencuar se vetëm bashkëpunimi mes dy vendeve do të mundësoj zbardhjen e këtij rasti.
Gazeta Express: A keni shkëmbyer deri më sot informata me shtetin e Serbisë sa i përket hetimeve që po zhvillohen rreth vrasjes së politikanit Oliver Ivanoviq?
Ministri Tahiri: Ministria e Drejtësisë, prej ditës kur ka ndodhur vrasja, ka shprehur gatishmërinë që, në kuadër të rregullativës ligjore në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, të shkëmbej informacione me autoritetet serbe. Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, sot ka dërguar në institucionet përkatëse në Serbi informatat relevante të kërkuara nga organet serbe dhe të cilat në asnjë mënyrë nuk e cenojnë zhvillimin e hetimeve.
Gazeta Express: A keni pranuar ndonjë informatë nga Republika e Serbisë rreth kërkesave që institucionet e Kosovës i kanë drejtuar organeve relevante në Serbi rreth këtij rasti?
Ministri Tahiri: Dua t’ju njoftoj se deri më sot nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje për kërkesat që Prokuroria e Kosovës i ka dërguar organeve të Serbisë lidhur me këtë rast. Ne, si Ministri e Drejtësisë dhe prokuroria themelore në Mitrovicë, jemi në pritje të përgjigjeve nga autoritetet serbe në lidhje me katër (4) kërkesat e drejtuara tek autoritetet serbe për sigurimin e dëshmive. Andaj, iu bëj apel autoriteteve serbe që të bashkëpunojnë me organet e shtetit të Kosovës në lidhje me këtë rast dhe që sa më shpejt që është e mundur të na përgjigjen në kërkesat e sipërpërmendura, pasi që provat që mund të grumbullohen nga ky bashkëpunim janë thelbësore për hetimet që organet kompetente janë duke kryer me qëllim të zbardhjes përfundimtare të rastit.