Tahiri: Ndaj murit në veri do të veprojmë ashtu siç vepruam edhe ndaj trenit!

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri ka përsëritur edhe një herë se muri i ndërtuar ilegalisht në pjesën veriore të Mitrovicës, do të rrënohet.

Tahiri, veçoi për “Gazeta Blic” se ndaj murit ilegal do të veprohet në mënyrë të njëjtë, ashtu siç është vepruar edhe ndaj trenit të Serbisë, i cili u ndalua të hyjë në territorin tonë me një vendim të shtetit të Kosovës.

“Po, muri do të hiqet, dhe kjo do të bëhet me qasje efektive, të matur dhe duke ruajtur stabilitetin. Ashtu si vepruam me rastin e ndalimit se trenit ilegal të Serbisë në Kosovë”, ka thënë Tahiri.

E pyetur nga se kur pritet të ndodh rrëzimi i këtij muri, Tahiri duke larguar çdo përgjegjësi nga vetja tha se për këtë çështje vendosin vetëm instancat më të larta shtetërore, raporton GazetaBlic.com

“Është çështje për të cilën vendimin final e marrin instancat më të larta shtetërore, ndërsa muri do të hiqet”, ka shtuar ajo.

Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa në mbledhjen e sotme të Qeverisë, duke aluduar tek rrënimi i po këtij muri, u ka bërë thirrje Komunës së Mitrovicës Veriore që ta respektojë ligjin.

“I bëj thirrje edhe komunës veriore që të respektojë ligjin, komuna veriore duhet të veprojë në harmoni me ligjin, në të kundërtën institucionet e vendit do të kryejnë obligimet që kanë”, ka thënë Kryeministri Mustafa.

Kurse Kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, ka porositur nga veriu i këtij qyteti se muri në Mitrovicë nuk do të rrënohet.

Kujtojmë se ndërtimi i murit në mënyrë ilegale në veri të vendit ka ndodhur në fillim të muajit dhjetor të vitit 2016.  Disa ditë më vonë deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan një rezolutë për rrëzimin e këtij muri. Kjo rezolutë parasheh që rrënimi i tij të ndodh jo më vonë se janari i këtij viti.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme