Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, emri i së cilit është lakuar së fundi për largim nga ekzekutivi, përmes një publikimi ka shprehur përkushtim për dinamikë të shtuar të punës dhe shtim të rezultateve.
Sado që Tahiri shprehimisht nuk u referohet zërave për largimin e tij nga Qeveria e Ramush Haradinajt, ai përmes zotimeve për të ardhmen, ka hedhur poshtë mundësinë e largimit nga kabineti qeveritar.
“Kryefjala e angazhimit tim politik e institucional është fuqizimi i sundimit të ligjit dhe kontributi për një shtet dhe shoqëri moderne që udhëhiqet nga parimet më të ndritura të demokracisë dhe mundësive e trajtimit të barabartë për të gjithë. Sfidat janë evidente, mirëpo me përkushtim dhe dinamikë të shtuar do të shtojmë edhe rezultatet”, ka shkruar Tahiri.