Të premten e ardhshme bëhen një muaj që kur lideri i nismës “Liria, Demokracia, Drejtësia”, Oliver Ivanoviq u qëllua me armë zjarri para selisë së partisë në veri të Mitrovicës.
Institucionet e drejtësisë së Kosovës i kanë dorëzuar atyre të Serbisë dokumentacionin që posedonin për këtë vrasje.
Këtë dërgesë, Kosova nuk e ka bërë përmes zyrës së EULEX-it në Beograd, siç raportuan disa media.
Këtë e ka konfirmuar edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.
“Jo përmes EULEX-it, por përmes zyrës së BashkimiT Evropian”, ka thënë Tahiri për Indeksonline.
“Mbështetur në marrëveshjen e arritur me 2013 (e plotësuar/ndryshuar në tetor të vitit 2015) procesi i bashkëpunimit me Serbin në fushën e bashkëpunimit juridik është duke vazhduar. Në pamundësi të komunikimit të drejtpërdrejt me autoritetet serbe, ne, kërkesat tona i përcjellim nëpërmjet Zyrës së Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, ne të njëjtën mënyrë edhe autoritetet serbe i përcjellin kërkesat e tyre”, ka thënë Tahiri për Indeksonline.
Ai tha se gjer në tetor të vitit 2014, kërkesat tona për ndihmë juridike në çështje civile dhe penale janë përcjellë përmes EULEX-it.
Tahiri ka treguar gjithë rrjedhën e bashkëpunimit me autoritetet serbe sa i përket rastit “Ivanoviq”:
Në datë 18 janar 2018 përmes kanaleve të lartcekura e kemi pranuar një kërkesë nga autoritetet serbe, në të njëjtën datë kërkesa është përcjell tek Prokuroria Themelore në Mitrovicë, po ashtu në të njëjtën datë na është përgjigjur Prokuroria, e cila përgjigje i është përcjell po me 18 janar autoriteteve serbe (afat rekord). Po në datë 18 janar Prokuroria Themelore në Mitrovicë e ka përcjell një kërkesë drejtuar autoriteteve serbe për sigurim të dëshmive, në të njëjtën ditë kjo kërkesë i është transmetuar autoriteteve serbe përmes kanaleve të lartpërmendura, mirëpo deri me sot nuk kemi përgjigje. Me 22 janar e kemi përcjell një kërkesë tjetër të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për tek autoritetet serbe, por deri më sot nuk kemi pranuar përgjigje. Në datë 24 janar e kemi përcjell një kërkesë tjetër të Prokurorisë Themelore në Mitrovice për tek autoritetet serbe përmes kanaleve të lartpërmendura. Gjithashtu në datë 31 janar e kemi pranuar një kërkesë nga Ministria e Drejtësisë e Serbisë, për të cilën Prokuroria Themelore në Mitrovicë është përgjigjur në datë 5 shkurt duke shkëmbye informatat informata të cilat nuk cenojnë zhvillimin e hetimeve ose procedurës penale.
“Këto janë informatat që i janë dërguar: 1. Raporti i autopsisë, 2. Raporti i vendit të ngjarjes; 3. Raporti balistik, Foto dokumentacioni i vendit të ngjarjes. Të njëjtat i janë përcjell autoriteteve serbe në datë 5 shkurt përmes Zyrës së Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë”, ka thënë Tahiri.