Talebanët iu kanë ndaluar femrave që të ndjekin universitetet në Afganistan, duke shkaktuar një dëshpërim si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Lajmi u njoftua nga ministri i Arsimit që tha se vendimi hyn në fuqi menjëherë.
Ky vendim iu ndalon edhe më tej arsimimin femrave në këtë vend. Vajzat tashmë janë përjashtuar nga shkollat e mesme që kur talebanët u kthyen vitin e kaluar.
Një studente i tha BBC-së se ajo ishte një femër që kishte “humbur gjithçka”.
Ajo kishte studiuar ligjin islamik të Sheriatit dhe argumentoi se urdhri i talebanëve binte në kundërshtim me “të drejtat që Islami dhe Allahu na kanë dhënë”.
“Ata duhet të shkojnë në vendet e tjera islamike dhe të shohin se veprimet e tyre nuk janë islame”. tha ajo për BBC.
Kombet e Bashkuara dhe disa vende e kanë dënuar urdhrin, i cili e kthen Afganistanin në periudhën e parë të sundimit të talebanëve, kur vajzat nuk mund të merrnin arsim formal.
Raportuesi Special i OKB-së për Afganistanin tha se ishte “një nivel i ri që shkel më tej të drejtën për arsimim të barabartë dhe thellon fshirjen e grave nga shoqëria afgane”.
Shtetet e Bashkuara thanë se një veprim i tillë “do të vinte me pasoja për talebanët”.
“Talebanët nuk mund të presin që të jenë një anëtar legjitim i komunitetit ndërkombëtar derisa të respektojnë të drejtat e të gjithëve në Afganistan”, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken në një deklaratë.