Taravar, shpifja nuk të bën nderë! (Reagim i Sakte.net)

Portali Sakte.net nuk do ta publikonte këtë reagim nëse nuk do të apostrofohej në debatin “Click”, të Tv 21 – Maqedoni nga ana e sekretarit të përgjithshëm, Arben Taravari (në dorëheqje siç e thekson ai vetë), dhe të akuzohej pa asnjë bazë se do të publikojë materiale që ekzistojnë vetëm në imagjinatën e Taravarit!

Nuk është e ndershme Arben Taravari që të paragjykoni dhe të shpifni haptazi në një medium tjetër se, po ju citojmë: “Ka qenë një luftë mediale, histeri mediale dhe atë e dini prej kujt? Ne goditjet më të mëdha i kemi prej këtyre të cilët deshëm të bashkëpunojmë, duam të bashkëpunojmë..Sakte, Almakos… Tash Sakte.net dhe Almakos me siguri kanë ndonjë lajm Arbeni shan…”

Neve, si redaksi nuk na interesojnë vajtimet e politikanëve për dështimet e tyre. Që ta keni të qartë, ju dhe gjithë të tjerët, neve na interesojnë vetëm projektet dhe rezultatet konkrete për avancimin e gjendjes së shqiptarëve të Maqedonisë. Kemi përkrahur haptazi çdo përpjekje të tillë dhe kemi kundërshtuar pa kompromis çdo politikë diskriminuese ndaj shqiptarëve të Maqedonisë. Kemi bashkëndjerë me ta edhe dhembjen nga përbuzja, por edhe shpresën e ngjallur pas rezultateve të fundit zgjedhore ku secila parti shqiptare e mori sinjalin se duhet të jetë shumë e kujdesshme tash e tutje nëse dëshiron ta ketë besimin e votuesve shqiptarë. Për ne si redaksi e Sakte.net fituesit më të mëdhenj të këtyre zgjedhjeve janë shqiptarët e Maqedonisë, ndërsa humbësit më të mëdhenj ata politikanë që edhe sot e tutje dalin dhe shpifin nëpër emisione televizive lidhur me çështje që do të duhej t’i zgjidhnin partitë politike ndërmjet vete. Portalit Sakte.net nuk i interesojnë mosmarrëveshjet ndërpartiake e as ngutja e individëve të caktuar për të qenë pjesë e pushtetit dhe për ta paraqitur këtë si “sakrificë kombëtare’. Andaj, edhe debatet e tilla ngjajnë më tepër në skenar “post mortum” ku më të zëshëm janë ata politikanë që përgjegjësinë për rezultatet zgjedhore përpiqen ta hedhin tek të tjerët, e jo ta kërkojnë tek vetvetja – siç do bënte secili subjekt që mëton rezultate më të mira në të ardhmen.

E, sa i përket lajmeve të portalit Sakte.net për të cilat ankoheni aq shumë, ato ishin: a do të jep Ziadin Sela dorëheqje siç ka premtuar, si dhe lajmi i cili referohej në burime të besueshme brenda Lr-PDSH’së se ka zëra të pakënaqur që rezonojnë dhe kanë gjykim të shëndosh duke e kërkuar këtë përgjegjësi përbrenda partisë, sidomos të prirë edhe nga përvoja jo e këndshme me PDSH, derivat i së cilës ishte LrPDSh.

Kjo ishte përgjegjësia publike që iu interesonte lexuesve dhe opinionit për të matur konsistencën e veprimeve tuaja politike, si subjekt. Ju me lehtësi këto i klasifikuat si shpifje dhe bëtë thirrje në anëtarësi që të linçohet portali Sakte.net dhe drejtuesit e saj. Le të mbetet në ndërgjegjen tuaj! Por, ju lutemi në të ardhmen mos shpifni si në rastin e debatit “Click” ku thoni se “Tash Sakte.net dhe Almakos me siguri kanë ndonjë lajm Arbeni shan…”!”. Ne, si ekipë e Sakte.net jemi dhe do të mbetemi vetëm kundër të keqes së shqiptarëve të Maqedonisë, e ajo ka një emër – derisa mbetet e tillë siç është apo mos ta tejkalojë ndonjë e keqe më e madhe! Atë emër e thoshit edhe ju si subjekt zëshëm në fushatën paraelektorale, ndërsa tani ka ndryshuar hesapi dhe keni zgjedhur t’ua shtrini dorën e bashkëpunimit. Por, kjo është çështje e juaj si parti dhe neve na takon vetëm të raportojmë për zhvillimet politike, sigurisht duke iu referuar edhe retrospektivës. Ju keni të drejtë të veproni si të doni me legjitimitetin e 36 mijë votave të shqiptarëve të Maqedonisë, por kjo nuk ua jep të drejtën të shpifni aq ultë. Sepse jo se e zbehni besimin e lexuesve të Sakte.net, por kështu e humbni kredibilitetin tuaj si individ – gjë të cilën nuk do t’ua dëshironim. Thënë, më saktë, – as që na bëhet vonë për lëvdatat apo kritikat e cilitdo politikan. Mjafton që ju ta bëni punën tuaj, ne tonën.

PS

Sa për informimin tuaj, shumë materiale shpifëse ndaj portalit Sakte.net të kanë derivuar si rezultat i gjuhës nxitëse dhe linçimit publik që keni bërë ju, z. Taravari. Siç shpifet edhe sonte. Andaj, miqësisht ua rekomandojmë që të përmbaheni sepse megjithatë ditë më të mira duken në horizont për shqiptarët e Maqedonisë. Dhe se si do të jetë e ardhmja , vendosni ju politikanët, e jo ne mediat që raportojmë për veprimet e juaja.

Kaq për kësaj radhe!

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme