Tmerr dhe akt barbar paraqet sulmi i sotshëm ndaj ekipit të gazetareve dhe kameramanit të Televizionit Alsat, kështu u shpreh kryetari i Aleancës për shqiptarët, Arben Taravari, sipas të cili ngjarjet e këtilla janë të patolerueshme.
“Ngjarjet e këtilla janë të patolerueshme në shoqëritë demokratike. Fjala e lirë dhe liria e mediave janë të garantuara me Kushtetutë dhe konventa ndërkombëtare, ndërsa kërcënimet dhe sulmet fizike ndaj gazetarëve duhet të sanksionohen nga organet e rendit dhe drejtësisë. Dënimi i këtij akti duhet të paraqesë jo vetëm drejtësi për rastin konkret, por edhe mesazh për të gjithë që në të ardhmen askush, as të mos mendojë të ngrejë dorë mbi gazetarët ose të cenojë punën e tyre. Mbetemi në mbështetje të plotë të ekipit që sot është përballur me këtë akt të papranueshëm, si dhe të gjithë gazetarëve dhe punonjësve mediatik për të siguruar lirinë e tyre të punës, si një ndër shtyllat qendrore të lirisë tonë të përgjithshme”, tha Taravari.