E hënë, 07 Nentor 2016 – Sakte.net /
Katër të ndaluarit për terrorizëm ditën e shtunë në Shkodër kanë mohuar akuzat e ngritura nga ndaj tyre.
Ata janë marrë në pyetje nga oficerët e policisë pasditen e të shtunës dhe paraditen e të dielës. Ergys Fasllia, i dyshuar si një nga organizatorët dhe me profesion berber në qytetin verior, ka mohuar njohjen me dy të ndalurit e tjerë, Xhezair Fishti dhe Medat Hasani.
Gjithashtu, 30-vjeçari ka mohuar se ka pasur rol në propagandimin e luftës në Siri dhe dërgimin e besimtarëve myslimane atje. Sipas Fasllias, ata janë prangosur për shkak të besimit të tyre islam dhe devotshmërisë së tyre ndaj kësaj feje.
Fasllia ka pranuar se njeh vetëm të ndaluarin Bekim Protopapa, i cili është mjek në Malësinë e Madhe dhe banues në qytetin e Shkodrës. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Xhezair Fishti, i cili është me profesion hoxhë dhe banues në Dibër. Ai nuk i ka pranuar akuzat e ngritura dhe për tepër ka sqaruar se nuk i njeh Ergys Fasllian dhe Bekim Protopapën.
Edhe Medat Hasani, i ndaluari i katërt për këtë çështje ka sqaruar se nuk ka dijeni për akuzat e ngritura. Fishti dhe Hasani u kanë thënë hetuesve se po persekutohen për shkak se janë myslimanë. Por, pavarësisht këtyre deklarimeve, prokuroria ka ngritur për këtë persona akuzën kryerjes së veprave me qëllim aktet terroriste si dhe nxitjen e urrejtjes ose grindjes ndërfetare, raporton Gazeta Shqiptare.
Prokurorët e Krimeve të Rënda kanë thënë se kanë si prova për të ndalurit përgjime, filmime dhe fotografi që vërtetojnë se ata njihen me njëri-tjetrin dhe kanë kryer veprime aktive për të propaganduar luftën në Siri dhe të ndikojnë tek individë të ndryshëm për t’i dërguar në luftë.