Kryesia aktuale e Vetëvendosjes ka vazhduar t`u bëjë thirrje anëtarëve të saj të cilët tashmë kanë dhënë dorëheqje nga kryesia dhe të gjitha funksionet partiake që të kthehen në struktura dhe të diskutojnë.
Kjo parti, përmes një njoftimi, ka bërë të ditur se ka mbajtur takim me kryetarët e qendrave të lëvizjes.
Nga ky takim është bërë e ditur se është diskutuar rreth situatës së krijuar në Vetëvendosje pas dorëheqjeve të kryetarit të saj dhe disa anëtarëve të Kryesisë, si dhe për procesin zgjedhor për Kryetar të Lëvizjes.
“Kryetarët e Qendrave u njoftuan me kërkesën e Kryesisë drejtuar anëtarëve të dorëhequr që të kthehen ne Kryesi dhe të diskutojmë për të gjitha problemet. Ata e përkrahën kërkesën e Kryesisë drejtuar anëtarëve të dorëhequr por kërkuan që zgjidhja e problemeve të bazohet në Statutin e Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.
Mirëpo, pavarësisht thirrjeve të kryesisë që të dorëhequrit të kthehen për të diskutuar në forumet brenda partiake, asnjë nga ata që kanë dhënë dorëheqje nga funksionet në këtë parti deri më tani nuk kanë shprehur gatishmëri për t`iu rikthyer partisë. Madje në deklarimet e tyre publike, të dorëhequrit kanë theksuar se brenda Vetëvendosjes tani është instaluar logjika e diktatit dhe linçimeve andaj nuk është parë një gatishmëri e tyre për t`iu rikthyer dialogut të brendshëm, raporton Televizioni publik.
Ish-kryetari i kësaj partie, tashmë i dorëhequr nga pozitat në parti, Visar Ymeri, ka thënë ditë më parë se ftesat e Albin Kurtit për diskutim nuk janë momente reflektimi pasi sipas tij, Kurti nuk ka shprehur keqardhje për linçimet që u janë bërë disa aktivistëve të cilët nuk janë pajtuar me zhvillimet në këtë parti.
Ndërkohë, kandidati për kryetar të kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, ka thënë se është i gatshëm të diskutojë me ata që kanë dhënë dorëheqje, siç është shprehur ai, pa inat dhe pa hakmarrje.
Mirëpo për analistin Imer Mushkolaj, Vetëvendosje tashmë është e fragmentuar dhe nuk mund të flitet më as për një grup parlamentar të homogjenizuar.
Zyrtarët e kësaj partie, kohët e fundit kanë praktikuar vetëm formën e rrjeteve sociale për të dhënë qëndrimet e tyre për situatën e krijuar në këtë parti.