Të gjithë të gatshëm për zgjedhje, cili është kuptimi i koalicionit?

Për opozitën dihet qysh kur u themelua koalicioni qeverisës mes PDK-së dhe LDK-së, se ata ishin për zgjedhje.

Por këta zëra kanë nisur të shtohen brenda partnerëve të koalicionit.

Ditë më parë vetë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, si partneri më i dhamë në koalicion, tha se ata janë të gatshëm të shkojnë në zgjedhje nëse kjo është  nevojshme.

“Nuk është fundi i botës nëse nesër del një opsion me marrëveshje politike në mes të kampit të pozitës dhe opozitës që të shkohet në zgjedhje dhe të kemi normalitet”, kishte thënë Veseli.

Deri te kjo situatë duket se e kishte sjellë pamundësia e koalicionit qeverisë që t’i ketë votat e mjaftueshme në Kuvend për votimin e çështjeve që kërkojnë 2/3 e votave, apo 81 sosh.

“Ne si partner i koalicionit pa Listën Serbe nuk mund t’i arrijmë 81 vota”, ka thënë Veseli.

Megjithatë, kjo erdhi edhe si ndryshim i deklaratës së tij, i cili muaj më parë, çdoherë kur pyetej për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje, thoshte se “zgjedhjet do të jenë në vitin 2018”.

Nuk vonuan shumë zërat nga ‘vëllai i dytë’ në koalicion – LDK-ja, duke ia bërë më dije Veselit se kjo parti nuk e ka telashe shkuarjen në zgjedhje.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, i cili është edhe kryetar i komunës së Istogut, kishte thënë se LDK-ja nuk e ka problem të shkojë në zgjedhje.

“Nëse duhet të shkojmë në zgjedhje, shkojmë, nuk është problem”, kishte thënë ai, duke shtuar se marrëveshja nuk mund të prishet njëanshëm.

Ai konsideronte se, pavarësisht diskutimeve, koalicioni nuk ka telashe.

Për ta ‘zbutur’ deklaratën e Veselit për zgjedhje të mundshme, ishte kujdesuar vetë ‘vëllai i dytë’ – kryeministri Isa Mustafa. Deklaratat e Veselit ai i kishte quajtur si keqinterpretime.

“Nuk është folur asnjëherë për zgjedhje. Ne jemi duke funksionuar tepër mirë. PDK dhe LDK si koalicion qeverisës do ta çojnë mandatin deri në fund. Zgjedhjet do të mbahen ashtu siç parashihen, pra pasi ne ta përfundojmë mandatin. Deklaratat në media shpesh po keqinterpretohen dhe po u jepen kahje të ndryshme”, kishte thënë Mustafa.

Normalisht se kur ka këso deklarata nga partitë politike, atëherë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk i mbetet tjerët pos ta përmbushë obligimin ligjor e kushtetues që e ka – të jetë e gatshme për organizimin e zgjedhjeve.

Ndërmjet këtyre deklaratave politike të partive, KZQ-ja vazhdimisht dërgonte komunikata e deklarata publike se ata janë të gatshëm të organizojnë zgjedhje.

Duhet kujtuar se koalicioni i vitit 2007 mes PDK-së dhe LDK-së nuk kishte jetësuar deri në fund. Ishte PDK-ja ajo që u ‘divorcua’ nga LDK-ja për t’iu kthyer bashkëjetesës në vitin 2014.

Prishja e mundshme e këtij koalicioni do ta thyente rekordin e shkuarjes më të shpejt në zgjedhje.

Për më tepër, partitë opozitare vazhdimisht kanë kërkuar që të organizohen zgjedhjet e parakohshme, për shkak se, siç thonë, kjo qeveri nuk ka legjitimitet.

Qeveria nuk kishte arritur disa herë t’i siguronte votat në Kuvend për miratimin e çështjeve që kërkonin 81 vota./Insajderi.com

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme