Gazetare: Melihate Rustemi
Të shprehurit më mirë në gjuhë të huaja sesa në gjuhën amtare po shqetëson mësimdhënësit në shkolla. Mexhait Ameti, mësues i gjuhë angleze tha për Alsat se janë të shumta vërejtjet e mësimdhënësve të lëndëve tjera për shprehje jo të duhur dhe me gabime të mëdha në gjuhën amtare, posaçërisht nga filloristët. Sipas Ametit, gjendja e krijuar vjen si rezultat i kontaktit të vazhdueshëm me telefonat e mençur dhe programet për fëmijë dhe të rritur në gjuhë të huaja, në veçanti në gjuhën angleze.
“Sidomos te filloristët, ata që vijnë në klasë të pare, ata më lehtë shprehen në gjuhën angleze posaçërisht për ngjyrat dhe ditët e javës. Është problem permanent saqë edhe vet si mësues i gjuhës angleze duhet të jem shumë i kujdesshëm në komunikim me nxënësit. Ne si prind jemi të zënë me punë, nuk kemi kohë të merremi aq shumë më fëmijë sikurse janë marrë gjyshërit tanë me tregime, tregime popullore e përralla. Ata tash e kanë vetëm You Tube dhe programet për fëmijë në gjuhën angleze”, tha Mexhait Ameti, mësimdhënës I gjuhës angleze.
Lindita Rugova, dekane e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë konsideron se mësimi i gjuhëve të huaja nuk mund të ndalohet. Por, siç thotë ajo në këtë rast duhet krijuar politika që janë njëkohësisht srikte dhe fleksibile.
“Nuk mund t’u themi fëmijëve mos luani në tik tok apo mos krijoni video, mos mësoni anglisht. Problemin e shoh më shumë te prindërit të cilët po i stimulojnë shumë që fëmijët e tyre që nga klasa e parë të mësojnë më tepër gjuhën e huaj se sa gjuhën amtare. Ndoshta do të duhej një kujdes më i madh, në ato vitet e para, deri në moshën 10-15 vjeç sepse më vonë pastaj do të jetë vonë edhe për fëmijët edhe për prindërit. Gjuhët e huaja nuk mund t’i ndalojmë por do të duhej krijuar politika që janë njëkohësisht edhe strikte por edhe fleksibile”, theksoi Lindita Rugova, dekane e Fakultetit të Filologjisë, Prishtinë.
Ndërkohë, Hysni Matoshi drejtor i Institutit Albanologjik në Prishtinë vlerëson se fëmijët mund të kenë një të ardhme vetëm nëse fillimisht e njohin gjuhën e tyre amtare dhe ndërtohen mbi rrënjë dhe identitetin kombëtar.
“Prindërit mendojnë se duke njohur gjuhë të huaja fëmijët e tyre do të kenë një të ardhme tjetër me të mirë. E them me bindje të plotë se ata fëmijë do të kenë një të ardhme vetëm nëse e njohin gjuhën e tyre amtare, vetëm nëse formohen në rrënjët e tyre të identitetit kombëtar dhe pastaj mbi to mund të ndërtojnë edhe plot njohje gjuhësh tjera, kulturash dhe profesionesh të ndryshme. Pa një formim të saktë gjuhësor, pa një formim të mirë gjuhësor i cili është i mundshëm vetëm në gjuhën amtare, jo vetëm për shqiptarët por për gjithë kombet e botës nuk mund të ketë një të ardhme të duhur profesionale, intelektuale për atë brez fëmijësh të cilët po rriten duke mësuar paralelisht anglishten”, shtoi Hysni Matoshi, drejtor I Institutit Albanologjik, Prishtinë.
Në shumë shkolla fillore dhe të mesme tashmë janë në dukje rezultatet jo të mira në gjuhën amtare krahasuar me gjuhët e huaja, si anglishtja dhe gjermanishtja të cilat vlerësohen me rezultate shumë të mira./Alsat.mk