Krizën financiare në ndërmarrjen publike Telekomi i Kosovës e kishte paralajmëruar ditë më parë kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Bedri Istrefi.
Pas njoftimit nga “Z-Mobile” për dërgim në përmbarim për shkak të borxhit prej 25 milionë eurosh, kishte thënë se në situatën të cilën ndodhet, gjasat janë minimale për të bërë këtë pagesë. Por kjo krizë nuk e ka penguar menaxhmentin e ndërmarrjes që të shpallë konkurs të ri për punësimin e 30 personave.
Koha Ditore ka siguruar konkursin që kjo ndërmarrje e ka hapur më 13 korrik dhe që parashihej të mbyllej më 27 korrik, me anë të të cilit kërkoheshin 15 zyrtarë marketingu dhe 15 teknikë. Ky konkurs ishte larguar menjëherë nga faqja zyrtare e Telekomit.
Në ditën kur gazeta u ka dërguar pyetje zyrtarëve të Telekomit se përse kanë shpallur konkurs kur organizata është para bankrotimit, konkursi është anuluar pa dhënë asnjë sqarim lidhur me atë se çfarë është pyetur.
Krahas këtij konkursi, Telekomi kishte shpallur konkurs për punësimin edhe të tre zyrtarëve financiarë. Ky konkurs është mbyllur më 24 korrik. Gazeta ka kërkuar sërish që të marrë sqarime rreth këtyre konkurseve nga zyrtarë të Telekomit, por ata nuk janë përgjigjur as të mërkurën e as të enjten.
Edhe pse Bordi i ndërmarrjes dhe menaxhmenti kishin marrë vendim për ndalimin e punësimeve, vendimi nuk është respektuar. Pas punësimit të mbi 200 personave vitin e kaluar dhe në fillim të këtij viti, kryesisht familjarë e militantë partiakë, Telekomi ka vazhduar edhe me punësime të tjera. Numri i të punësuarve në këtë ndërmarrje kalon 2500 persona.