Televizioni shtetëror rus e ka publikuar një hartë të Shteteve të Bashkuara me vendet që do të sulmoheshin me armë bërthamore nga Moska në rast se ndodh ndonjë sulm i tillë.
Sipas kësaj harte, në vendet që do të sulmoheshin me raketa bërthamore nga Rusia përshihen Pentagoni dhe qendra strehuese presidenciale në Maryland. Televizioni rus ka thënë se raketa hipersonike që është duke u prodhuar në Rusi mund t’i godasë këto vende për pesë minuta.
Javën e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se Moska është ushtarakisht e gatshme për krizën e raketave të stilit kuban nëse Shtetet e Bashkuara e dëshirojnë një gjë të tillë.
Tensionet mes dy fuqive të mëdha botërore janë rritur për shkak të planit të Shteteve të Bashkuara për të vendosur raketa me rreze të mesme veprimi në Evropë pasi të dyja shtetet u tërhoqën nga traktati për armët bërthamore.
Presidenti rus ka thënë se vendi i tij do të jetë i detyruar të kundërpërgjigjet ndaj planit amerikan me vendosje të raketave bërthamore hipersonike në nëndetëset që ndodhen afër ujërave të Shteteve të Bashkuara, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.