Temperaturat mbi 40 gradë, Qeveria me rekomandime për mbrojtjen e qytetarëve

Gazetare: Ajnur Bafaqri

Niveli portokalli i rrezikut nga temperaturat e larta do të jetë aktiv prej sot deri në fund të javës së ardhshme. Temperaturat do të kalojnë mbi 40 gradë, ndërsa sipas parashikimeve të sinoptikëve, javën e ardhshme ato pritet të arrijnë deri në 43 gradë celsius.

Qeveria mbajti një seancë urgjente ku mori rekomandime që do të hyjnë në fuqi nga nesër deri në datën 18 të javës së ardhshme. Rekomandimet parashikojnë lirimin nga puna të grave shtatëzëna dhe personave mbi 60 vjeç, si dhe ndalesë për kryerjen e aktiviteteve fizike dhe ekspozimin e fëmijëve në diell nga 11:00 deri në orën 17:00.

“Po ashtu në periudhën e njejtë, punëdhënësit duhet të organizojnë aktivitetet e punës të punonjësve të ndërtimit dhe atyre që punojnë në ambient të hapur, në mënyrë që të shmanget kryerja e punëve ndërtimore dhe aktiviteteve të tjera fizike në ambient të hapur në periudhën prej orës 11:00 deri në orën 17:00”, njoftojnë nga Qeveria.

Nga urgjenca njoftojnë se në Shkup është vërejtur numër i shtuar i kolapseve në vende publike dhe në vende pune të qytetaëve. Kryhen deri në 90 ndërhyrje në ditë, dhe shumica prej tyre lidhen me temperaturat e larta.

“Për shkak të motit të nxehtë, llojet e ndërhyrjeve janë kolapse të shpeshtuara, edhe në vende publike, po ashtu në vende pune. Më së shumti janë të sëmurët kronikë, ata që vuajnë nga diabeti dhe tensioni i lartë i gjakut, që reagojnë më së shumti ndaj të nxehtit… Ndodh edhe tek më të rinjtë, për arsye se dalin pa ngrënë, nuk pijnë mjaftueshëm lëngje, ose hanë ushqime më të rënda, më shumë kafe… dhe këtu vijmë në përkeqësim, djersitje, sëmundje, marramendje”, deklaroi Marina Sotirovska, mjeke.

Rekomandime për mbrojtje nga temperaturat e larta ka shpalosur edhe Instituti për Shëndet Publik. Ata rekomandojnë që qytetarët të mbajnë me vete një shishe me ujë, të vishen me rroba të lehta me ngjyrë të hapur, si dhe të mbajnë kapela apo çadra. Temperatura ekstremisht të larta kanë përfshirë të gjithë rajonin. Sipas sistemit për paralajmërim të hershëm “Meteoalarm”, në disa vende të rajonit si Kosovë dhe Serbi është ndezur alarmi i kuq i rrezikut nga temperaturat e larta. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme