Tenderët e parë të Zyrës së Kryeministrit: Blihen telefona dhe frigoriferë

Ramush Haradinaj tani i ka mbushur një javë në detyrën e tij si kryeministër i vendit. Por, puna e zyrës së tij dhe e prokurimit ka filluar të vërehet shpejt. Brenda kësaj kohe nga kryeministri janë shpallur dy tenderë. Që të dy lidhen me zyrën ku punon Haradinaj: Janë blerë disa frigoriferë dhe janë porositur 14 telefona. Kurse, dy ditë para se të niste punën inventari i Zyrës së Kryeministrit kishte dalë në shitje

Ditën kur Isa Mustafa po ia dorëzonte detyrën prej kryeministri të Kosovës, Ramush Haradinajt, lëvizjet për të ndryshuar zyra e shefit të ekzekutivit veç kishin filluar.

Dy ditë më herët në ueb-faqen e KRPP-së ishte shpallur ankandi publik në të cilin parashihej shitja e inventarit të Zyrës së Kryeministrit.

Pjesë e ankandit sipas ofertës së Kryeministrisë, do të jenë të gjitha pajisjet, nga karriget, varëset e deri tek tavolina e punës, që ishin vendosur në kryeministri sipas shijes së Mustafës.

Ky institucion ka mbajtur të hapur ankandin “Shitja e inventarit zyrtar dhe pajisjeve të ndryshme të IT-së jashtë përdorimit”, deri më 15 shtator.

Akandi ishte shpallur nga Zyra e Prokurimit, derisa ende në detyrë formalisht ishte Isa Mustafa.

E kur kaluan vetëm dy ditë nga fillimi i punës së Haradinajt si kryeministër, për zyrën e tij u porositën edhe dy frigoriferë. Vlera e blerjes së tyre është fiks 1 mijë euro.

Blerja e tyre është bërë përmes një tenderi të shpallur në KRPP. Aty tregohet se furnizimin me këta frigoriferë do ta bëjë kompania nga Fushë Kosova “Neptun Kosova”.

Në konkurrencë për ta fituar këtë tender kanë qenë tri kompani. Kontrata mes kompanisë fituese dhe Zyrës së Kryeministrit është nënshkruar më 13.09.2017

Blerjet për Zyrën e Kryeministrit nuk u ndalën me kaq. Jo më larg se para dy dite, Zyra e Kryeministrit të vendit shpalli edhe tenderin për blerjen e 14 telefonave.

Në njoftimin e publikuar në KRPP tregohet se Zyra e Kryeministrit ka treguar se për “Furnizim me telefona mobilë”, ka planifikuar t’i shpenzojë fiks 8 mijë euro.

Në këtë njoftim është bërë me dije se krejt ky proces duhet të përfundojë brenda 10 ditësh.

“Kohëzgjatja: 10 ditë pas nënshkrimit të kontratës. Fillimi: 05.10.2017 Përfundimi : 15.10.2017”, thuhet në këtë njoftim.

E kontrata për furnizime nga Zyra e Kryeministrit ka koinciduar me lansimin e produkteve të reja nga kompania Apple, modeli i saj më i ri Iphone X. Por, nuk dihet se cili do të jetë lloji i telefonave që do të blejnë

Gazeta Express ka kërkuar sqarim nga Qeveria e Kosovës lidhur me blerjen e këtyre telefonave. Në përgjigjen e dhënë nga zyra e Kryeministrit, Ramush Haradinaj, ka sqaruar se 14 telefonat celularë për të cilët ka shpallur tender për t’i blerë me buxhet të shtetit, janë për nevoja pune dhe jo luksi.

Sipas Kryeministrisë, zyrtarët në kabinetin e shefit të ekzekutivit për shkak të pagave që, sipas tyre, lënë të kuptohen se janë të ulëta, nuk kanë mundësi që të blejnë telefona me buxhetin e tyre personal, që të mund t’i përdorin edhe për nevoja pune zyrtare.

“Telefoni celular sot konsiderohet mjet pune për një profil të caktuar të punonjësve në Kryeministri dhe jo mall luksi siç pretendoni ju. Prandaj është vendosur, që në përputhje me normat e prokurimit publik, të shpallet tender për 14 telefona celularë, me të cilët do të pajiset stafi për komunikimit publik dhe ai politik”, thuhet në një sqarim të zyrës së Kryeministrit për Gazetën Express.

“Ka një perceptim se punëtorët në Kryeministri kanë paga të larta, por e vërteta është se mesatarja e pagës së këshilltarit politik në Kryeministri, sot është rreth 500 euro, prandaj asnjëri prej tyre nuk ka mundësi që me buxhetin personal ta blejë një mjet pune, qoftë ai edhe telefon, për punë zyrtare”, sqaron tutje Kryeministria.

Blerja e këtyre telefonave ka ngjallur reagime të shumta tek qytetarët dhe tek personalitete e ndryshme. Njëri nga reagimet e fundit për këtë çështje ka ardhur edhe nga deputeti Milaim Zeka i cili këtë blerje e ka quajtur banale.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme