Nisma për Kosovën, dega në Malishevë, është ankuar për presion ndaj kryetarit të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) nga ana e PDK-së.
Hajdin Berisha nga NISMA në Malishevë tha për KALLXO.com se kryetari i KKZ-së në këtë komunë, Rexhep Zogaj, është duke iu nënshtruar presionit nga PDK.
Sipas Berishës, PDK po bën presion për mbylljen e qendrës së votimit në fshatin Banjë.
“Kjo qendër ka qenë në fokus edhe në raundin e parë. Ne i kemi shqetësimet tona dhe i bëjmë thirrje PDK-së t’i ndërpresin presionet në drejtim të anëtarëve të KKZ-së”, tha Berisha.
Por Isni Kilaj i PDK-së mohoi akuzat e Nisma-s.
“Realisht edhe ne dyshojmë në bashkëpunim të Zogajt me Nismën dhe këtë Deklarate ata e bëjnë për ta mbuluar bashkëpunimin e tyre joligjor me të”, Isni Kilaj nga shtabi zgjedhor i PDK-së.
Ndërsa vetë kryetari i KKZ-së mohoi të ketë pasur ndonjë presion.
“Unë deklaroj se nuk bi nën presionin e partive politike por edhe nuk kam presione prej askujt. Procesi është duke ec shumë mirë, nuk ka probleme, gjithçka është në rregull. Mua nuk më interesojnë komunikatat e partive politke. Mu më intereson procesi me ec në rregull”, tha Zogaj për KALLXO.com.
Edhe menaxheri i qendrës së votimit në Banjë mohoi të ketë pasur ndonjë problem që nga hapja e kësaj qendre në orën 7 të mëngjesit.
Në garë në balotazh për kryetar të Malishevës janë Ragip Begaj i Nisma-s dhe Mursel Gashi i PDK-së.