Ka përfunduar në pranga gardiani i burgut të sigurisë së lartë në Fushë Krujë, Hidër Çali.
Burime bëjnë me dije se gardiani është arrestuar pasi ka tentuar te fusë ne qeli sende të ndaluara, konkretisht celularë dhe lëndë narkotike, të cilat kishin si destinacion qelitë e të dënuarve dhe të paraburgosurve.
Mësohet se policia dhe SHKBB sekuestroi 22 celularë me aksesorët përkatës (karikues, kufje) 3 doza kokainë dhe 30 koka përshtatëse karikuesi nga Android në iPhone, që do të shkonin në duart e bosëve të krimit.
Sipas policisë, punonjësi Hidër Çali, gjatë ndërrimit të shërbimeve, ka hedhur një qese të zezë me peshë rreth 6 kg në një nga tarracat e regjimit të jashtëm, me synimin për t’i futur më pas në regjimin e brendshëm.
Pakot janë gjetur të hedhura në tarracën sipër depos së armatimit, pranë depozitës së gazit dhe nën Vendrojën Nr.1.
Njoftimi i policisë
Në IEVP Fushë-Krujë, inteligjenca operative në sistemin e burgjeve ka parandaluar një tentativë për futjen e sendeve të ndaluara, konkretisht aparate celularë dhe lëndë narkotike, të cilat kishin si destinacion qelitë e të dënuarve dhe të paraburgosurve.
Punonjësi i rolit bazë, H.Ç., gjatë ndërrimit të shërbimeve, me veprime aktive ka hedhur një qese të zezë me peshë rreth 6 kg në një nga tarracat e regjimit të jashtëm, me synimin për t’i futur më pas në regjimin e brendshëm.
Menjëherë pas konstatimit të ngjarjes, zona është rrethuar dhe është siguruar vendi i ngjarjes për kryerjen e veprimeve të para hetimore. Janë njoftuar menjëherë Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve (SHKBB) dhe Policia e Fushë-Krujës. Pas mbërritjes së autoriteteve përkatëse, pakot janë hapur dhe brenda tyre janë gjetur:
– 22 celularë me aksesorët përkatës (karikues, kufje)
– 3 doza kokainë
– 30 koka përshtatëse karikuesi nga Android në iPhone
Pakot janë gjetur të hedhura në tarracën sipër depos së armatimit, pranë depozitës së gazit dhe nën Vendrojën Nr.1.
Lidhur me këtë ngjarje, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me Prokurorinë e juridiksionit përkatës, po kryejnë veprime hetimore me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave dhe autorëve të tjerë të mundshëm.
Si rezultat i hetimeve të deritanishme, punonjësi i rolit bazë, H.Ç., është arrestuar në flagrancë për veprat penale “Futja e sendeve të ndaluara në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike në bashkëpunim”.
Ky rast konfirmon edhe një herë vigjilencën e inteligjencës operative në burgjet shqiptare, e cila vijon të luajë një rol kyç në parandalimin e futjes së sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit.