Veprimtari shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, ka shprehur një zhgënjim të thellë pas tërheqjes së Prof. Dr. Bekim Sejdiut nga kandidatura për President të Kosovës, një zhvillim që ai e sheh si një goditje për të ardhmen e vendit.
Në një postim të tij në Facebook, Bajraktari e ka cilësuar këtë situatë si “lajm të keq për popullin e Kosovës”, duke e kritikuar ashpër klasën politike për dështimin e saj në zgjidhjen e bllokadës aktuale.
Bajraktari ka shprehur shqetësimin se Kosova ka humbur mundësinë për të pasur një president të kualifikuar, i cili do të mund të zgjidhte krizën politike dhe të ndihmonte në krijimin e institucioneve funksionale.
Ai gjithashtu ka theksuar se komuniteti shqiptaro-amerikan dhe miqtë e Kosovës në Washington prisnin që ky proces të sillte një zgjidhje për vendin, duke shpresuar për një të ardhme më të ndritur.
Në përfundim, Bajraktari ka kritikuar ashpër klasën politike për dëmtimin e të ardhmes së Kosovës, duke theksuar se një qasje e tillë nuk e nderon sakrificën e popullit dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe miqve ndërkombëtarë. “Kështu po dëmtohet seriozisht e ardhmja e Kosovës”, ka përfunduar ai, duke e mbyllur postimin me urimin: “Zoti e bekoftë Kosovën dhe mbarë popullin shqiptar”.



