Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Tërnava nuk sheh rrezik nga veprime të brendshme terroriste. “E kam këtë bindje në vete, diku të strukur thellë në ndjenjën time të brendshme se nëse kemi dhe po, disa djem që janë sot të përfshirë në ato luftëra të pakuptimta vëllavrasëse ne Siri, unë e kam një mendim se shqiptari nuk besoj se mund të arrij në atë shkallë, që ai t’i bëj keq vendit të tij”, thotë myftiu Tërnava.
Që nga viti 2012, rreth 120 qytetarë të Kosovës që kishin shkuar në luftën e Sirisë janë kthyer, duke hapur debatin për trajtimin e tyre. Disa nga të kthyerit këto ditë filluan një projekt që ndihmon integrimin e tyre.
Nga 314 shqiptarë të Kosovës që kanë shkuar në Siri që nga viti 2012, rreth 120 prej tyre janë kthyer, kryesisht të zhgënjyer me atë çfarë kanë parë dhe përjetuar atje. Një pjesë e madhe e tyre janë arrestuar e disa syresh edhe janë dënuar në gjykatat e Kosovës.
Albert Berisha, është njëri nga të kthyerit, i cili është aktualisht në pritje të vendimit të gjykatës së apelit rreth dënimit të tij më 3 vjet e gjysme heqje lirie. Ai kishte qëndruar ne vitin 2013 në Siri prej nga është larguar për të mos u bashkuar me grupet ekstreme si grupi militant Shteti Islamik.
Bashkë më disa të kthyer, ai themeloi këto ditë një institut për integrim, siguri dhe deradikalizim. Ai thotë se arrestimi i të kthyerve vetëm sa shton vuajtjet e tyre dhe të familjeve të tyre. Të kthyerit, thotë ai, janë përballur me trysni e paragjykime dhe kjo ka bërë që më vështirësi të flasin, prandaj masat e forta nuk janë alternativë e luftës kundër ideologjive ekstremiste.
“Përkundrazi është një argument shtesë për t’i forcuar ato. Unë edhe vet kam qenë pjesë e luftës së Sirisë. Kam qenë pjesë e formacionit ushtarak Ahrar Al Sham. Jam kthyer në Kosovë, jam arrestuar, jam burgosur, jam dënuar nga gjykata themelore. Pres vendimin e Gjykatës së Apelit. Akoma vazhdoj të besoj në drejtësinë e Gjykatës së Apelit. Pak a shumë, jam pjesë e tërë këtyre proceseve dhe besoj se ndoshta jam më i thirrur për t’u marrë me këto punë, sepse vet kam kaluar nëpër të gjitha këto faza”
Ai thotë se thirrjet për kthimin e atyre që ende janë në Siri, duhet të shoqërohen me mundësi integrimi në vend.
“Se nëse ua jep njerëzve dy opsione të këqija, në mes të opsionit për të qëndruar dhe për të vdekur në Siri ose Irak dhe opsionit tjetër për t’u kthyer dhe për të përfunduar në burg, atëherë pa dyshim se ata do të zgjedhin opsionin e parë, për arsye se burgu nuk është alternativë për ta. Ndryshe mendojnë familjarët e tyre. Ata duan që fëmija i tyre të jetë në burg vetëm të mos jetë i vdekur. Mirëpo, këtë nuk mund t’ia thuash një pjesëtari që është duke luftuar atje dhe i cili e di saktësisht se këtu e pret burgu”, thotë zoti Berisha.
Sipas Skënder Përteshit nga Qendra për Studime të Sigurisë, ka pak nisma për përdorimin e masave të buta për përballjen me këtë dukuri.
“Nëse i masim për kokë banori, ne jemi kampionë në botë për arrestimin e luftëtarëve të huaj apo arrestimet që kemi bërë për terrorizëm. Arrestimet janë gjëja e fundit që duhet ta mendojmë, masat e forta janë gjëja e fundit që duhet t’i përdorë shteti. Shumë më i suksesshëm mund të jetë përdorimi i masave të dhunshme për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, programeve të specializuara, gjithëpërfshirëse për parandalim të ekstremizmit të dhunshëm si dhe për deradikalizim dhe ri integrim të ish personave apo familjeve të tyre që kanë qenë pjesë ose subjekt i ekstremizmit dhe radikalizmit”.
Por a paraqesin edhe rrezik të kthyerit nga Siria? Albert Berisha mendon se janë tri kategori të të kthyerve.
“Janë kategoria e parë që kanë pasur vullnet të mirë. Kanë shkuar, e kanë parë realitetin atje, janë kthyer të zhgënjyer dhe janë penduar që kanë shkuar dhe po ashtu nuk paraqesin rrezik për vendin, për shkak se nuk është që janë infektuar me ideologji ekstremiste. Kategoria e dytë është e atyre personave që kanë qenë, janë kthyer, nuk janë penduar pse kanë udhëtuar atje për arsye se mendojnë që kanë bërë një gjë të mirë, kanë kryer një obligim, mirëpo nuk do të shkaktonin ndonjë rrezik për shoqërinë. Pra, mendojnë se kanë kryer një obligim në një vend të caktuar, por nuk paraqesin rrezik për vendin e origjinës. Dhe kategoria e tretë janë personat që janë kthyer këtu dhe mund të kenë një prapavijë. Normalisht, ne nuk e paragjykojmë askënd. Kjo është punë e organeve të rendit dhe besojmë se ne do të kryejmë pjesën tonë të punës, ata duhet ta kryejnë pjesën e vet të punës”, thotë ai.
Shefi i departamentit kundër terrorizimit në policinë e Kosovës, Fatos Makolli thotë se analizat e departamentit të i tij nuk tregojnë për ndonjë rrezik për sulme në Kosovë.
“Sa i përket kërcënimit, mund të them se kërcënimi nga ajo që quhet ‘terrorizmi i brendshëm’, është më i vogël. Megjithatë, ne sot shohim se Shteti Islamik është në një presion të madh, është në defansivë, bazuar edhe në rritjen e forcës kinetike me të cilën po përballet dhe ekziston mundësia që luftëtarët e huaj nga Shteti Islamik, të tentojnë të shpërndahen në vende të ndryshme në Evropë. Policia e Kosovës e njeh mirë këtë fakt dhe është duke i marrë të gjitha veprimet në bashkëpunim me institucionet tjera të sigurisë që të jetë vigjilente dhe të parandalojë çdo situatë të mundshme që mund të cenojë sigurinë dhe rendin publik në Kosovë”.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Tërnava nuk sheh rrezik nga veprime të brendshme terroriste.
“E kam këtë bindje në vete, diku të strukur thellë në ndjenjën time të brendshme se nëse kemi dhe po, disa djem që janë sot të përfshirë në ato luftëra të pakuptimta vëllavrasëse ne Siri, unë e kam një mendim se shqiptari nuk besoj se mund të arrij në atë shkallë, që ai t’i bëj keq vendit të tij”, thotë myftiu Tërnava.
Viti 2016 ndryshe nga vitet tjera nuk ka shënuar shkuarje të reja në Lindjen e Mesme ku edhe më tej sipas autoriteteve janë 75 luftëtarë nga Kosova. Por, sipas ekspertëve, rënia e numrit të atyre që synojnë t’u bashkohen atyre luftërave nuk i ka dhënë fund ideologjisë që është pjesa më e vështirë për t’u luftuar./VoA