Gazetar: Bashkim Sulejmani
Komisioni për emërtim të rrugëve në Tetovë, më 15 shtator pritet të përfundoj listën me emrat e përzgjedhur për rrugët që nuk kanë numra dhe emra. Deri tani, emra janë gjetur për rreth 145 rrugë, ndërsa mbeten edhe njëqind emra për tu vendosur në seancën e fundit.
“Gjatë fundit të javës së ardhshme eventualisht data 15 apo 16 do kemi mbledhjen e radhës të grupit punues, ku do kalojmë edhe një fazë, pra faza e fundit e këtyre emrave, që deri më 20 shtator të kemi listën përfundimtare të këtyre propozimeve. Në fazën e parë kemi kaluar 77 emra dhe në fazën e dytë 145, pra 222 emra deri tani janë konfirmuar, dhe në fazën tjetër do ketë edhe njëqind emra pas çka do e shqyrtojmë bashkë me ekspertë.” – Albi Qamili, Kryetar i komisionit për emërtim të rrugëve.
Qamili tha se për dallim nga herët e kaluara, lista përfundimtare me emrat e rrugëve nuk do t’i dërgohet menjëherë këshillit për miratim, por e njëjta do kaloj edhe një filtër, atë të ekspertëve për përkthim.
“Duhet marr parasysh se ajo listë edhe një herë duhet punuar me ekspertë të çështjes që të mos kemi probleme administrative e gjuhësore sepse e dini që ligji nuk përcakton qartë përkthimin e emrave të rrugëve, prandaj, edhe nëse zgjat më shumë procesi s’ka gjë, por kur të shkoj në Qeveri të mos kemi pengesa me përkthimin e këtyre emrave. Aty te grupi punues do të ftojmë ekspertë dhe nga komuna tjera që janë marrë me këtë çështje. E dini se në Çair veçmë e kanë kaluar këtë procedurë, andaj do i thirrmi që bashkërisht të përpunojmë gjithë listën para se të nisët e njëjta për në Qeveri.” – Albi Qamili, Kryetar i komisionit për emërtim të rrugëve.
Lista përfundimtare, pritet të ketë rreth 325 emra të ri të rrugëve, të cilët do të mbulojnë këtë mungesë në rrugët e qytetit të Tetovës. Pas konsultimit me ekspertë, në tetor lista do të dërgohet në këshill dhe më pas t’i dërgohet Qeverisë. Në Tetovë, gjithsej janë 265 rrugë, nga të cilat 111 janë me emra, ndërsa 113 me numra, dhe 41 nuk kanë aspak as emër e as numër. Ka edhe rrugë që pritet t`iu ndërrohen emrat sepse datojnë që nga periudha e komunizmit, dhe nuk kanë të bëjnë aspak me realitetin e sotëm në Tetovë. /Alsat.mk
The post Tetovë, fundi i rrugëve pa emra? Vendimi pritet më 15 shtator appeared first on Alsat.



