Tetovë, seanca gjyqësore për rastin e modularit shtyhet për më 7 dhjetor

Për të tretën herë me radhë është anuluar mbajtja e seancës së parë të gjykimit të tre të akuzuarve për modularin e djegur në Tetovë. Edhe sot, njëjtë si radhën e kaluar, mungonte njëri nga avokatët e mbrojtjes. Kësaj radhe i mjekut Boban Vuçevski, për çka edhe gjykatësi vendosi anulimin e seancës për në 7 dhjetor, por, me kushtin, që me ose pa avokatët mbrojtës seanca kryesore të mbahet.

Ndërkohë avokatët mbrojtës të të akuzuarve Florin Besimi dhe Artan Etemi, u ankuan se prokuroria, nuk iu ka mundësuar qasje te materialet e dëshmisë mbi të cilat është përgatitur lënda, me qëllim që, mbrojtja e të akuzuarve të përgatitet si duhet.Në mungesë të kopjeve të materialit të përgatitur nga prokurorët e lëndës, gjykatësi lejoi përshkrimin e dëshmive, për të cilat iu dha kohë një muaj. I akuzuari i parë, ish drejtori i Spitalit klinik të Tetovës, Florin Besimi tha se pret që gjyqi të mos zvarritet.

“Dëshira ime e vetme është që ky proces të filloj sa më shpejtë, që të më jepet mundësia që ta dëshmoj pafajësinë time të pakontestueshme në procesin gjyqësor dhe për atë të njoftohet edhe opinioni”, deklaroi Florin Besimi, ish drejtor i Spitalit të Tetovës.

Për djegien e modularit të Tetovës ku humbën jetët 14 persona, lënda u hetua për një vit radhazi nga pesë prokurorë vendas dhe një ekip ekspertësh gjermanë, pas çka, prokuroria e Tetovës ngriti akuzë kundër tre personave, ish drejtorit Florin Besimi, ish drejtorit ekonomik Artan Etemi dhe mjekut kujdestar të qendrës Covid, Boban Vuçkovski dhe ndaj spitalit të Tetovës. Lënda në gjykatë u dorëzua që në gusht që këtij viti, por edhe përkundër tre tentimeve për të filluar procesi gjyqësor, shtyrjet janë të vazhdueshme. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme