Në debatin për komunën e Tetovës, kryetarja aktuale e kësaj komune Teuta Arifi, njëherit kandidate e BDI – së për një mandat të dytë është vënë në qendër të kritikave jo vetëm nga kundërkandidatët e saj, por edhe udhëheqësja e emisionit lidhur me mospërmbushjen e shumë premtimeve si dhe ripërsëritjen e tyre në përpjekje për të 85fituar një mandat të ri.
Një prej temave më të nxehta, pos temës së mbeturinave, mungesës së transportit publik, parkingjeve dhe një sërë problemesh tjera me të cilat ballafaqohen Tetovarët, ishte edhe qështja e ndërtimit të stadiumit në Tetovë.
Për vonesat e ndërtimit të këtij stadiumi, Arifi ka fajësuar kompaninë me të cilën ka nënshkruar kontratë komuna e Tetovës.
“Pyetjen se pse nuk është duke u kryer stadiumi duhet ta shtroni tek ata, kompania “Ecolog” sepse ne si komunë i kemi kryer. Çdokush e ka obligimin që t’i rrijë fjalës dhe obligimive që ka marrë përsipër”, ka deklaruar Teuta Arifi e cila nuk ka përjashtuar mundësinë e prishjes së kontratës midis komunës së Tetovës dhe kompanisë “Ecolog”, në rast se ajo i fiton zgjedhjet dhe kjo kompani nuk i përmbahet kontratës së nënshkruar në partneritet publiko – privat.
I menjhërshëm ka qenë reagimi i kandidatit të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami i cili ka deklaruar se mosndërtimi i stadiumit është pikërisht shkaku i keqmenaxhimit të komunës.
Ai ka thënë se janë bërë dy marrëveshje në të njëjtën kohë gjë që ka sjellë në konflikte interesi për shfrytëzimin e stadiumit nga kompanitë investuese. Problem i dytë, sipas Kasamit është edhe mospërmbushja e obligimeve të komunës për pastrimin e terrenit nga dyqanet që ndodhen përreth dhe moskrijimi i parakushteve për investitorin./Sakte.net



