Ndonëse për më pak se dy vjet Kosova i ka humbur dy konteste gjyqësore në Arbitrazhin Ndërkombëtarë, duke humbur me miliona euro para të taksapaguesve tanë nga buxheti i vendit, deri më sot askush nga pushtetarët tanë nuk e ka pësuar. Analistët e ekonomisë, përfaqësuesit e opozitës dhe të shoqërisë civile,pyesin se si mundet që të kalojë diçka e tillë pa u ndëshkuar askush për një aferë që zhvati paratë e Kosovës, të cilat përfundojnë në xhepat privatë, se përse në Kosovë askush nuk jep llogari për asgjë, madje edhe kur shteti humb milionat. Analistët janë të një mendimi se këto gjëra po na ndodhin nga veprimet diletanteske dhe të papërgjegjshme të pushtetarëve tanë, të cilët që nga pas lufta e deri më sot kanë bërë këso punë të pista dhe kemi ardhur në një pozitë për keqardhje, pasi këtu te ne nuk po funksionon gati asgjë. Sipas tyre, megjithatë, herët a vonë do të vijë dita kur secili do të mbajë përgjegjësi për të gjitha këto afera dhe hajni që i kanë bërë. Kësaj përgjegjësie nuk do të mundet që t’i shmanget askush dhe do t’i nënshtrohen të gjithë bartësit e funksioneve kyçe në vend, duke filluar nga kryetari aktual Hashim Thaçi, ministra të tashëm e të mëhershëm, si dhe drejtues të Ndërmarrjeve Publike,shkruan gazeta Kosova Sot.
Llogaridhënia nga kreu i shtetit
Deputeti i opozitës, Enver Hoti (Nisma për Kosovën) tha për gazetën “Kosova Sot” se është për keqardhje ajo që po ndodh që nga pas lufta e deri më sot, ku askush nga pushtetarët tanë nuk po japin llogari për të këqijat që po ia bëjnë vendit tonë. “Me gjithë humbjet milionëshe te ne, po mungon llogaridhënia për skandalet e PTK-së. Në Kosovë askush nuk jep llogari për asgjë, madje edhe kur shteti humb milionat “, ka thënë ai. Deputeti Hoti tha se e tëra kjo po ndodh edhe në mungesë të dënimeve të zyrtarëve më të lartë publikë për korrupsion dhe kjo situatë ka krijuar një klimë të mosndëshkimit, ndërsa Kosova është renditur në ketë nivel të perceptimit të korrupsionit. Opozitari Hoti ankohet se shkeljet që bëhen nga pas lufta e deri më sot dhe mungesa e llogaridhënies dhe e përgjegjësisë në punët e ministrive, komunave dhe autoriteteve të tjera kontraktuese është vlerësuar dobët edhe nga shoqëria civile dhe institucione të tjera, që monitorojnë këtë fushë. Sipas opozitarit Hoti, për të gjitha këto afera dikush duhet që doemos të japë përgjegjësi. “Fillimisht duhet kërkuar përgjegjësinë nga ish-kryeministri i asaj kohe, Hashim Thaçi, ishministrat Besim Beqaj e Ahmet Shala, si dhe zyrtarët e lartë të PTK-së, që përmes një skeme mashtrimi i shkaktuan humbje të qëllimshme Kosovës edhe për 30 milionë euro të tjera në Arbitrazh për t’ia trashur pasurinë një kompanie private”, potencoi ai.
Shpresa e vetme, te drejtësia ndërkombëtare
Deputeti tjetër nga opozita, Bali Muharremaj (AAK) thotë se humbja e ” kontestit ” gjyqësor nga Arbitrazhi Ndërkombëtar me rastin e pasaportave, është vetëm fillimi i daljes në sipërfaqe të aferave të shumta korruptive në tenderët me karakter ndërkombëtar, sepse tenderët e brendshëm po mbyllen lehtë nga drejtësia e korruptuar dhe privatizimit të pronës publike. Muharremaj tha se pas secilit tender me karakter ndërkombëtar, ose lokal, zyrtarët më të lartë të dy partive në pushtet, qëllim parësor e kanë pasur përfitimin personal. “Kjo ka ndodhur me shitjen e KEDS it, dështimin e shitjes së PTK-së kompanisë gjermane “Axos”, sikurse edhe kontrata e ” Z- Mobile” kompanisë ‘Devolli’. Dikush që e njeh procedurën e tenderëve me karakter ndërkombëtar (si rasti i pasaportave), e di se në këto afera të pista janë të përzier drejtpërdrejt apo tërthorazi, ish-kryeministri Hashim Thaçi, ministrat Besim Beqaj, Ahmet Shala dhe ca të tjerë nga stafi më i besueshëm i tyre dhe natyrisht ish-drejtorët e dikurshëm e të tashëm të PTK-së”, theksoi ai. Sipas opozitarit Muharremaj, me këtë gjyqësor ta kapur nga politika nuk pritet që dikush nga të apostrofuarit e sipërm të japin përgjegjësi, por këtë mundet që ta bëjnë vetëm drejtësia ndërkombëtare, e cila mundet që t’i dënojë oligarkët dhe politikanët tanë vendorë”, u shpreh më tej ai
Pasojat milionëshe të vendimeve gjyqësore
Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Arton Demhasaj (Çohu) tha për ” Kosova Sot”, se Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit në Vjenë me të cilin PTK-ja e Kosovës detyrohet që t’i paguajë 30 milionë euro kompanisë “Devolli Group” dëshmon për degradimin dhe shkatërrimin e vazhdueshëm të PTK-së si dhe tregon për papërgjegjësinë e madhe dhe keqmenaxhimin e kësaj ndërmarrjeje. “Kompania “Devolli Group”, e cila e ka fituar rastin, është dëshmuar të ketë lidhje të forta me pushtetin dhe politikën”. Sipas analistit Demhasaj,”jo rrallëherë zyrtarë të lartë madje kanë qenë pjesë e ahengjeve të pronarëve të kësaj kompanie. “Kjo lidhje krijon edhe më shumë dyshime se edhe inicimi i rastit në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë mund të jetë një bashkëpunim ndërmjet palëve që procesi të arrijë deri në këtë faze”. Ai sqaron se ky është vendimi i dytë në dëm të Kosovës gjatë këtij viti, pasi para disa muajve Gjykata e Arbitrazhit të Odës Ndërkombëtare të Tregtisë në Paris mori vendim që kompania “AG Staatsdruckerei” të dëmshpërblehet me pesë milionë euro nga Qeveria e Kosovës. “Nuk janë të vetmet këto dy vendime në dëm të PTK-së dhe Republikës së Kosovës. Po shumë shpejt do të vendoset edhe për kontestin me kompanisë “Axos”, e cila kërkon 50 milionë euro dëmshpërblim për shkak se Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) ka ndërprerë njëanshëm kontratën, një javë para se të përfundojë afati i fundit që kompania “Axos” të bëjë pagesën si fituese e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të kompanisë së PTK-së”, potencoi Demhasaj.
Ekonomia, e goditur nga korrupsioni
Lidhur me këto raste, është shprehur edhe ish-drejtori i AKK-së, duke u ankuar për mungesë llogaridhënieje dhe përgjegjësie nga pushtetarët aktualë ministrave dhe drejtuesve të kompanive publike të të gjitha niveleve. Njohësi i kësaj problematike, Hasan Preteni, ish-kreu i Agjencisë Antikorrupsion, për “Kosova Sot “, tha se është për të ardhur keq, për të gjitha institucionet, për qytetarin e Kosovës në veçanti, se udhëheqësit e institucioneve, të cilët kanë për mision luftën kundër korrupsionit, kjo dukuri nuk po luftohet e as gjykohet, pasi nuk ka përgjegjësi e llogaridhënie. Eksperti i ekonomisë në fushën e integrimeve evropiane, Ardian Nokaj, për gazetën “Kosova Sot ” tha se “nga veprimet diletanteske dhe të papërgjegjshme të pushtetarëve tanë nga pas lufta e deri më sot kemi ardhur në një pozitë për keqardhje, pasi këtu tek ne nuk po funksionon gati asgjë. Ai thotë e vetëm tash po i shohim faktikisht pasojat e kësaj situate, sepse kemi një shkallë të ulët të zhvillimit, investime të ulëta, informaliteti i lartë, mundësitë e punësimit janë krejt të vogla. “Kjo që po ndodh te ne tregon se ky koalicion i madh ndoshta nuk po mund të japë rezultat në asnjë komponentë”, u shpreh ai. “Herët a vonë do të vijë dita kur secili prej tyre do të japin përgjegjësinë për të gjitha këto afera dhe hajni që i kanë bërë dhe që po e zhvatin buxhetin e vendit tonë me miliona euro”, theksoi Nokaj .
Qeveria neglizhente, prokuroria indiferente
Analisti politik, Florim Rudhani, për gazetën “Kosova Sot”, tha se e keqja është se jo vetëm në këtë rast, por edhe në të gjitha rastet e tjera kemi parë se që nga pas lufta e deri më sot nuk kemi pasur përgjegjësi e as llogaridhënie as nga Qeveria, e as mekanizmat e tjerë. Duke folur lidhur me obligimet në të cilat ka hyrë Qeveria e Kosovës me kompaninë “Z- Mobile” , analisti Rudhani thotë se për shkak të neglizhencës dhe joprofesionalizimit, janë 30 milionët nga buxheti që do t’i hiqen Kosovës. “Ndryshe, të gjitha këto para do të mund të investoheshin nëpër fusha të tjera, ku ka pasur nevojë më së tepërmi”. Analisti Rudhani ankohet se, nga mungesa e llogaridhënies dhe papërgjegjësisë së pushtetarëve tanë, ministrave dhe drejtuesve të NPve, sikurse që është PTK-ja dhe të gjithë pushtetarëve tanë, vendi ynë vazhdon që të pësojë me kosto marramendëse. “Jam shumë i habitur me neglizhencën e Qeverisë “Mustafa”, sepse fundja është detyrë zyrtare dhe ligjore e Prokurorisë së Shtetit që në të gjitha rastet, kur për diçka flitet e shkruhet nëpër mediet tona, që këto raste t’i ndjekë dhe t’i ndriçojë në mënyrë që të gjendet fajtori dhe faji “, potencoi ai.