Në këtë fillimvit janë bërë 8 vjet që kur për herë të fundit BE-ja ka liberalizuar vizat për një shtet të Ballkanit Perëndimor, raporton KTV.
Atë kohë, të gjitha vendet, pos Kosovës, nisën lëvizjen e lirë brenda Zonës Schengen.
Kjo, vazhdon të jetë e pamundur për qytetarët e Kosovës, por jo edhe për politikanët që udhëheqin këtë shtet. Kosova është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që ende nuk mund të lëvizë pa viza. Në këmbim të kësaj, Bashkimi Evropian kërkon veprime konkrete dhe të dukshme në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe gjithashtu votimin e përcaktimit të kufirit me Malin e Zi.
Para 8 vjetësh, kur Shqipëria e BeH nisën të lëvizin lirshëm, iu bashkuan të gjitha shteteve tjera që nuk iu duhen viza për udhëtime në zonën Schengen. Liderët, që udhëheqin Kosovën, nuk e kanë problemin e qytetarëve të tyre. Vizat i marrin lehtësisht e shumica prej tyre kanë vendosur të kenë shtetësi të Shqipërisë, privilegj të cilin nuk e kanë qytetarët e rëndomtë.
I fundit që është pajisur me pasaportë shqiptare është kryeministri Ramush Haradinaj.
Pasaportë shqiptare ka edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, por sipas këshilltarëve të tij, që nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, ai nuk e përdor atë.
Në Zyrën e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ndërkaq kanë thënë se ai nuk pranon shtetësi tjetër, pos të Kosovës.