Të premten ishte dita e fundit kur Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi duhej që ekipit negociator, të votuar në Kuvend, t’ia dorëzonte dokumentacionin për mbarëvajtjen e procesit të dialogut të zhvilluar me Serbinë në Bruksel.
Bashkëkryesuesi i dialogut, Shpend Ahmeti, ndryshe nga java e kaluar kur caktoi afate kohore, kësaj radhe nuk po e bën të njëjtën. Por, thotë se do të ishte mirë që ta kenë atë dokumentacion para të mërkurës.
Sipas tij, Thaçi po heziton për të proceduar dokumentet e kërkuara për dialogun, ku përkundër kësaj, shprehet optimist se nuk do të mungojë bashkëpunimi.
Si delegacion shtetëror, Ahmeti thotë se presin që t’i kenë të gjitha informatat nga presidenti Hashim Thaçi.
“Tekstet specifike, na u tha edhe në Bruksel, që nuk ka ndonjë marrëveshje që është bërë, është e shkruar, e tash ka mbetur vetëm që të bëhet. Pra, këto janë të gjitha tema të diskutimit. Dëgjova që nuk është këtu presidenti, por në përgjithësi edhe Blerim Shala tha se janë të gatshëm në çdo minutë të na përgjigjen në ftesa për takime dhe po ashtu të na dorëzohet çdo gjë që kanë mbajtë gjatë takimeve në Bruksel. Unë pres që do të ketë bashkëpunim dhe koordinim. Ka hezitim, po e shoh se ka një hezitim, megjithatë, jemi në fillim të këtij procesi të rëndësishëm… Nuk është që tash kom me shku në zyrë të presidentit, me e bastisë zyrën me lyp. Nuk jemi as hetues e as prokurorë”, tha ai.
Ndonëse, këtë javë pritet që ekipi negociator të dorëzojë në Kuvendin e Kosovës platformën për dialogun, Ahmeti thotë se deri më tash kanë marrë vetëm disa informata gjysmake.
E në rast se presidenti nuk i dorëzon dokumentet e kërkuara ekipit shtetëror, i pari i PSD-së, thotë se shkelet rezoluta.
“Besoj që në proces e sipër do ta kemi bashkëpunimin e plotë. Në qoftë se jo, atëherë kjo është shkelje edhe e rezolutës dhe besoj që edhe ligjit kur të hyjnë në fuqi, që të mos të kemi këtë bashkëpunim. Por, nuk pres që nuk do të ketë bashkëpunim. Deri më tani gjithçka ka shkuar mirë”, u shpreh ai.