Thaçi injoron perëndimorët me rastin e shefit të AKI-së

Burime të Gazetës Express thonë se është hera e parë që Presidenti Thaçi ka vendosur të injorojë preferencat dhe këshillat e partnerëve perëndimorë që merren me sektorin e sigurisë. Për më tepër, Driton Gashi këtë institucion do ta drejtojë pa e kaluar as testin e sigurisë (clearing’un) që parashihet me ligj.

Një aktakuzë e ngritur ndaj drejtorit të tanishëm të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, ia ka pamundësuar atij që t’i bëhet testi i verifikimit – ose ajo që njihet si “leja e sigurisë” që bëhet nga vetë ky institucion.

Ai po e merr drejtimin e kësaj agjencie pa këtë dokument të domosdoshëm. AKI’ja dhe Ministria e Punëve të Brendshme po heshtin, derisa për emërimin e tij në këtë mënyrë ngreh dyshime Komisioni Parlamentar që e mbikëqyr AKI’në, i cili alarmon se kjo copë letre do t’i jepet Gashit veç si formalitet.

Agjencia që ai do të drejtojë tash e tutje është përgjegjëse për dhënien e lejeve të sigurisë, por mbetet e dyshimtë nëse vetë Driton Gashi, Drejtori i ri i AKI’së, e ka kaluar këtë verifikim.

Sipas ligjeve kosovare në fuqi, çdo zyrtar shtetëror, që ka aq pozitë sa të ketë qasje në të dhëna të ndjeshme, në momentin e emërimit të tij në ndonjë institucion publik i nënshtrohet procesit të Autoritetit Verifikues. Ky autoritet në bazë të Ligjit për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë nuk i jep qasje në informacione të klasifikuara një personi të cilit i është refuzuar leja e sigurisë.

Por, pse Gashi u ngjit në krye të AKI’së pa këto procedura?

Mendohet se Presidenti Thaçi e ka shtyrë Gashin drejt kësaj pozite në kundërshtim me preferencat e miqve ndërkombëtarë, me qëllimin që nëpërmjet tij të marrë informacione rreth Tribunalit Special, i cili do të fillojë të operojë brenda këtij viti. Burime të Gazetës Express thonë se amerikanët për këtë pozitë kanë preferuar Atifete Jahjagën. Por, Thaçi këtë herë ka vepruar kokë më vete.

Po ashtu, tashmë është bërë publike që Gashi ka qenë këshilltar i ish-Ministrit të Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, tani shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës.

Gazeta Express, nga burimet e saj brenda MPB’së, merr vesh se Driton Gashi, tanimë shef i AKI’së, edhe për t’u emëruar Sekretar në MPB nuk e kishte bërë testin e verifikimit.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 5 qershorit të vitit 2013 e kishte emëruar Gashin si sekretar në MPB. Ndërkohë, më 30 maj të vitit 2016, Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë ndaj Gashit, e cila u hodh poshtë më 3 shkurt të këtij viti.

Aktakuza e përpiluar nga prokurori Feti Tunuzliu e ngarkonte Driton Gashin se në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të MPB-së, më 9 shtator 2013, paraprakisht ka marrë vendimin për zbatimin e aktvendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës të 2 gushtit 2013, duke konstatuar që Luan Ismajli të kthehet në pozitën e udhëheqësit të Divizionit për Sigurimin e Aviacionit në Departamentin për Siguri Publike të MPB-së, pasi paraprakisht ishte larguar nga ajo pozitë. Në aktakuzë thuhej që vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit, pra më 9 shtator 2013.

E, këto dallavere të Gashit, si dhe hetimi i tij nga ana e Prokurorisë, ia patën pamundësuar atij marrjen e “lejes së sigurisë” edhe më vonë, pasi që të refuzohesh në këtë proces verifikimi është i mjaftueshëm edhe një hetim kundër një zyrtari, edhe pa pasur aktakuzë.

E, ish sekretari i MPB’së, tashmë kryespiun i shtetit, do t’ia mësyjë AKI’së, pa e pasur këtë lloj leje që i kërkohet me ligjin për institucionin që po e drejton. Ndonëse Ligji për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, në nenin 14 të tij, thotë se “Kandidatët nuk punësohen nga AKI-ja nëse nuk i nënshtrohet procedurës së lejes së sigurisë”.

Neni 14 po ashtu potencon se “Kandidati duhet të vlerësohet stabil, i besueshëm dhe me karakter, vlerësim dhe diskrecion të shkëlqyeshëm. Çfarëdo dyshimi në lidhje me cilindo nga faktorët e sipërpërmendur zgjidhet në favor të sigurisë së Kosovës dhe leja e sigurisë do të refuzohet”.

Ndërkaq, zyrtarisht, zyrtarë në Ministrinë e Punëve të Brendshme nuk kanë dashur që t’i përgjigjen pyetjeve të Gazetës Express lidhur me atë se Driton Gashi i është nënshtruar “Lejes së sigurisë”, në kohën kur është emëruar sekretar në Ministrinë e Brendshme. Nëpërmjet telefonit, zyrtarët kanë thënë se nuk kanë ndonjë përgjigje lidhur me këtë çështje.

Madje, as nga Agjencia për Inteligjencë në e-mailin e dërguar nga Gazeta Express nuk janë përgjigjur, edhe pse nëpërmjet telefonit zyrtarë të këtij institucioni kanë thënë për Express se do të përgjigjen.

Ndërkohë, Gazeta Express ka kontaktuar edhe me kryetarin e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI’së, Haxhi Shalën.

Shala ka thënë për Express se nuk e di nëse shefi i tanishëm i AKI’së e ka të kryer “Lejën e Sigurisë”.

“Normal clearing’u duhet të bëhet, ajo është e padiktueshme. Departamenti në kuadër të AKI’së e bënë atë. Ai nëse e ka të përfunduar kur ka qenë sekretar në MPB, atëherë edhe këtu mund ta përfundoj vetëm nivelin e tretë. Këtu do e bëjë formalisht”, ka thënë Shala për Express.

E, tashmë kreu i AKI’së pritet që t’i raportojë këtij komisioni gjatë ditëve në vijim.
Emërimi i Gashit në pozitën e shefit të AKI’së vjen pas dorëheqjes së papritur të Agron Selimajt.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme