Thaçi: Investitorët nga Turqia janë ndër më të rëndësishmit

Presidenti i  Kosovës, Hashim Thaçi, ka filluar sot vizitën zyrtare në Turqi, duke vënë kurorë lulesh në Mauzoleun e Ataturkut në Ankara ku edhe u nënshkrua në Librin e Kujtimeve.

“Kreu i vendit i ka filluar vizitat zyrtare me takime të ndara me Kryetarin e Parlamentit turk, İsmail Kahraman, dhe me kryeministrin Binali Yıldırım.

Me kryeparlamentarin Kahraman, presidenti Thaçi ka biseduar për marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Turqisë dhe për mundësitë e bashkëpunimit ndërparlamentar”,thuhet në njoftimin për media.

Thaçi u shpreh se Kosova është mirënjohëse që Turqia ka qenë ndër vendet e para që ka njohur Kosovën, që në ditën kur Kosova ka shpallur pavarësinë, si dhe për përkrahjen e vazhdueshme për sigurimin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Kryetari i Parlamentit të Turqisë, İsmail Kahraman, ka thënë se Turqia është dhe do të mbetet mike e Kosovës dhe shtoi se të dy vendet ”duhet të rrisin bashkëpunimin parlamentar”.

Në fund të vizitës në Parlamentin e Republikës së Turqisë, presidenti Thaçi vendosi lule në pjesën e parlamentit të goditur nga predhat në tentim grusht-shtetin të datës 15 korrik 2016.

Thaçi shprehu falënderim për përkrahjen e vazhdueshme dhe ftoi që bashkëpunimi mes dy shteteve të intensifikohet, veçanërisht në sektorin e ekonomisë.

“Investitorët nga Turqia janë ndër më të rëndësishmit”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i vendit po ashtu theksoi se të dy vendet, Kosova dhe Turqia, ballafaqohen me kërcënimin e radikalizmit dhe terrorizmit dhe tha se mekanizmat e sigurisë të dy vendeve “kanë bashkëpunim të shkëlqyer”.

“Prandaj, çdokush që është terrorist në Turqi, është terrorist edhe në Kosovë”, përfundoi Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme