Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se ashtu si ka premtuar në fillim të mandatit të tij, ka kërkuar dhe iniciuar ndryshim dhe plotësim të Kodit Penal dhe të Procedurës Penale.
“Këtë gjë e kam kërkuar në funksion të legjislacionit të drejtësisë penale për të eliminuar zbrazëtirat ligjore dhe për të fuqizuar ligjet”.
Thaçi në takimin e parë të grupit punues për plotësim-ndryshimin e Kodit Penal dhe të Procedurës Penale, të organizuar nga Ministria e Drejtësisë ka thënë se edhe Kosova po përballet me probleme si të gjitha vendet tjera në botë, njofton Klan Kosova.
“Si president, e kam potencuar prioritetin që ka Kosova në luftën kundër korrupsionit dhe krimit, inkurajoj grupin punues që t’i kushtojë vëmendje dispozitave duke bërë ndryshime që institucionet të kenë kompetenca për të goditur këto fenomene”.
“Dua të rikthesoj përkushtimin tim për të mbështetur çdo iniciative që vjen nga institucionet për të fuqizuar kornizën ligjore, besoj fuqishëm që iniciativa si kjo tregojnë se Kosova është shumë serioze dhe e vendosur krimin dhe për të fuqizuar sundimin e ligjit”.
Thaçi ka thënë se “Kosova i ka shpallur luftë krimit të organizuar dhe korrupsionit” dhe sipas tij, veprimet konkrete që janë bërë dëshmojnë këtë më së miri.
“Dua të inkurajoj Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet tjera që të kenë koordinim maksimal që ndryshimet legjislative të jenë të thella, gjithëpërfshirëse dhe të jenë të zbatueshme në praktikë”.