Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me kryeministrin Mustafa, ministren Tahiri dhe shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, sot kanë vendosur gur-themelin e pikës së re të kalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.
Thaçi ka thënë se ky pikëkalimi është vetëm një nga gjashtë pikëkalimet kufitare të përhershme të Menaxhimit të Integruar të Kufirit, të cilat do të ndërtohen në kuadër të projektit të gjerë në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Në këtë mënyrë, ne jo vetëm që po i përmbushim standardet evropiane, por po ua zvogëlojmë hapësirën edhe dukurive të ekonomisë joformale”, u shpreh ai.
Gjatë gjithë këtyre viteve, tha Thaçi, Kosova ka qenë gjithmonë e përkushtuar për dialog, për fqinjësi të mirë, për bashkëpunim në shërbim të qytetarëve, në shërbim të zhvillimit dhe paqes në rajon.
“Institucionet e Kosovës kanë qenë dhe mbesin të përkushtuara për lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Jo vetëm brenda Kosovës, por edhe me shtetet fqinje, si në këtë rast me Serbinë”, ka thënë ai.
Ai theksoi se dialogu dhe bashkëpunimi janë rrugë e vetme përpara për tërë Ballkanin Perëndimor.