Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot kongresistin Eliot Engel, Kryesues i Komisionit për Punë të Jashtme në Kongresin Amerikan.
Thaçi ka shprehur kënaqësinë para kongresistit Engel dhe ambasadorit Kosnett për përurimin e ndërtesës së re të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, duke e krahasuar momentin e 4 Korrikut 2019 me hapjen e Zyrës Amerikane në Kosovë në vitin 1996.
“Ju jam mirënjohës për angazhimin tuaj personal, prej dekadash, për Kosovën dhe popullin shqiptar në përgjithësi. Është impresive kur e kujtojmë se ku ishim në vitin ‘96 dhe kur e shohim ku jemi sot”, u shpreh Thaçi dhe shtoi se “për këtë jemi mirënjohës përkrahjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të gjithë miqve, që na kanë përkrahur gjithë këto vite”.
Kongresisti Engel u shpreh se është i gëzuar që është përsëri në Kosovë, veçanërisht për të qenë pjesë e shënimit të 4 Korrikut me inaugurimin e ambasadës së re amerikane.
Engel, siç njofton presidenca, ka theksuar progresin e madh që Kosova ka bërë në vitet që nga pavarësia dhe ka shprehur shpresën e tij se vendi do të vazhdojë të përparojë në rrugën drejt prosperitetit, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Presidenti Thaçi ftoi kongresistin Engel që të angazhohet që SHBA-ja të mbetet e fokusuar në çështjen e Kosovës deri në përmbylljen e plotë të stories së Kosovës, me konsolidimin e plotë ndërkombëtar të vendit.