Gazetari Berat Buzhala ka shkruar se Hashim Thaçi, Edi Rama dhe Ali Ahmeti kanë biseduar për ndryshimin e kufijve në Ballkan. Ka sqaruar se një skenar i tillë do të vlejë vetëm për ndryshimin e kufijve të Kosovës por jo edhe të vendeve tjera ballkanike.
“Presidenti Thaçi, Kryeministri Rama dhe Kryetari i BDI’se Ali Ahmeti, kane biseduar ne Tirane për ndarjen e Kosovës, per vizatimin e kufijve ne Ballkan, e per idiotesi te tilla te ngjashme. Nje gjë e tille, nje skenar i tille, nuk do te ndryshoje kufijte a as nje shteti, perveç kufijve te Kosovës”, ka shkruar Buzhala, në një postim në Fb, duke cituar edhe Zëvendëskryeministrin e Austrisë, i cili ka propozuar një autonomi për Veriun e Kosovës.
“Si rrjedhoj do te kemi reagime te ketilla, sikur ky i zevendeskryeministrit te Austrise”, ka shtuar Buzhala.
Sipas tij, koordinimi me Ramën për kufijtë në Ballkan është sikur me pas pajtim me i ndryshu kufijtë e Arqipelagut.
“Kurse, dihet boterisht, Hasha eshte ne kerkim te fatkeqesive kolektive, vetem dhe vetem me e zhvendose vemendjen nga nje e tija qe po i qendron mbi koke. Per Ali Ahmetin a ia vlene me diskutu seriozisht?”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, Zëvendës-kancelari austriak ka propozuar “të drejtën për vetëvendosje” për Veriun e Kosovës
Express ka raportuar të premten mbrëma se klasa udhëheqëse në Kosovë, nën orkestrimin e Presidentit Hashim Thaçi, pasi dështoi ta zhbëjë Tribunalin Special, e ka filluar një aventure të re, po aq të rrezikshme, po ashtu të dyshimtë: ndarjen e Kosovës me Republikën e Serbisë. Kuptohet, kjo ide fillimisht do të provohet të kontrabandohet në opinion si këmbim i territoreve.
Në Presidencë kanë thënë se është herët të flitet për përmbajtjen e marrëveshjes që do të arrihet me Serbinë. Madje, kanë thënë se në këtë fazë edhe ideja e shkëmbimit të territoreve është vetëm spekulim.
Edhe Ish-Ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni, ka thënë se ndryshimi i kufijve s’mund të bëhet pa tragjedi dhe humbje të jetëve të njerëzve. Ka thënë se ndryshimi i kufijëve apo shkëmbimi i territoreve pashmangshëm sjell edhe luftëra të reja dhe po propozohet nga aventurierë politikë.