Thaçi: Rama ka të drejtë të flasë për Kosovën, por jo në emër të saj

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka komentuar debatet e ditëve të fundit për marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri, të cilat janë zhvilluar pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Serbi, ku ka thënë se Rama ka të drejtë të flasë për Kosovën, por jo në emër të saj.

“Zoti Rama ka të drejtë plotësisht të flasë për Kosovën, jo në emër të Kosovës. Për Kosovën vendosin institucionet legjitime”, ka thënë Presidenti Thaçi në emisionin “Opinion” në TV Klan.

“Edhe unë flas për Shqipërinë kur të me jepet mundësia, por vendimmarrja i takon Tiranës”, ka pohuar Thaçi dhe ka shtuar se Kosova dhe Shqipëria nuk janë në garë, por janë shtete që e plotësojnë njëra-tjetrën, në të gjitha angazhimet.

Ai tha se me kryeministrin Edi Rama nuk ka biseduar sot për këto opinione aq të parëndësishme, pasi ky është një debat aq i kotë, aq jo domethënës, artificial dhe një problematikë e paqenë.

Por Thaçi ka thënë se raportet mes shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, kurrë nuk kanë qenë më mirë.

“Raportet mes shqiptarëve janë eksellente”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se tendenca për të ngritur një debat për përkeqësim të marrëdhënieve mes shqiptarëve është armiqësore.

Thaçi megjithatë i është kundërpërgjigjur kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili lavdëroi Serbinë për sjellje evropiane.

“Serbia nuk është më evropiane, derisa cenon integritetin territorial të Kosovës, derisa instalon struktura paralele në veri, derisa cenon sovranitetin e Kosovës, derisa nuk kthen të pagjeturit, që i ka ende në varrezat masive”, ka thënë Thaçi.

Ai u pyet edhe për projektin e nënshkruar ndërmjet kryeministrave Rama e Vuçiq për ndërtimin e autostradës Nish-Durrës, duke anashkaluar Kosovën.

“Nuk e kam lexuar ndonjë projekt të tillë për autostradën Nish-Durrës”, tha Thaçi.

“Shqipëria duhet ta përfundojë autostradën nga Miloti në Durrës, më mirë sesa të mendojë për vendet e tjera”, ka thënë ai, duke shtuar se mohimi i kontributit të Shqipërisë për pavarësinë e Kosovës është injorancë komplete.