Thaçi: Shqiptarët kanë bërë gjithmonë luftë të pastër në përpjekjet për liri

E hënë, 07 Nentor 2016  – Sakte.net  /

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e 97 vjetorit të mbledhjes së Komitetit për Mbrojtje Kombëtare të Kosovës që ishte mbajtur në Shkodër ka thënë se shqiptarët gjithmonë kanë bërë luftë të pastër në përpjekjen për liri.

“Më 7 nëntor 1918 u mblodh në Shkodër Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës që synonte çlirimin e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare që ishin pushtuar prej Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Në krye të komitetit qëndronin figura të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare si Kadri Prishtina, Bedri Pejani, Hasan Prishtina, Sali Nivica, Bajram Curri apo Sotir Peci. Ky komitet luajti një rol të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e çështjes sonë kombëtare si dhe në mbrojtje të popullsisë sonë civile prej mizorive të pushtuesve”, ka shkruar Thaçi në Facebookm, transmeton Koha.net.

Ai më tutje ka shpalosur programin e këtij Komiteti, për të cilin thotë se vlen t’i kushtohet një vëmendje e veçantë pasi tregon kujdesin ndaj popullsisë civile serbe.

“Por, vlen të veçohet programi fisnik dhjetë-pikësh i mëposhtëm i Komitetit i cili i kushton vëmendje të veçantë kujdesit për popullsinë civile serbe. Ky program është një dëshmi e fortë historike se shqiptarët në përpjekjet e tyre për liri e pavarësi, qoftë 97 vite më parë në kohën e Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës dhe qoftë 17 vite më parë në kohën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjithmonë kanë bërë një luftë të drejtë, të pastër e dinjitoze”, është shprehur ai.

Programi i Komitetit të Kosovës për kryengritjen e vitit 1919 në Kosovë ishte:

1- Asnji kryengritës nuk guxon me i damtue shkiet e vendit,veç atyre që qendrojnë me armë në dorë kundër qëllimit shqiptar.

2- Asnji kryengritës nuk guxon me djegë shtëpia e me renuar kisha.

3- Plaçka ashtë jashta kryengritjes.

4- Asnji kryengritës nuk guxon me ba naj shemtim mbi trupat e të vramëve të anmikut as me çveshë ata anmiq që jesin dekun e të plaguem ose të xanë rob.

5- Veprimi ma i gjallë ka me kenë kundra ushtrisë,xhandarmërisë,kundra komiteteve të anmikut që kundërshtojnë me armë në dorë edhe në kjoftë se anmiku ban mizorina shqiptarëve pa armë me vete,ka per tju përmbajt plotësisht e rreptësisht katër pikave të nalt përmenura.

6- Nji shqiptar që e kundërshton luftën krahas me anmikun ose veç asht kundra qëllimit,ka për tu vra pa gjyq e pa afat kushdo që të jet.Por nji tradhëtar pa armë në dorë ka me u gjykue para gjygjit të kryengritjes e ka me u dënue mbas dokumentave e jo me përalla të hallkut.

7- Me të zaptuemit të nji shehri ose të nji katundi,serbët,shkijet e vendit ashtu edhe qarshia të rruhen me njerëz besnika e kryengritësit të ndjekin anmikun pa afat e pa bjerë asnji dakik nëpër shehre e katunde.

8- Kot e panevojë as gjaku i popullit tonë as gjaku i popullit anmik ska me mujt me u derdh.Por aty ku asht nevoja,nji kryengritës ska me guxue me krsye aspak gjakun e vet.

9- Ajroplanat,konsullat e shka ka që i perket këtyne,kan për ti ruejt me gjinde ma besnik e ma të marrun vesh.

10- Të vramët shqiptar s’kan për tu varrosur gjer sa të vij ndonji komisjon i huaj.Mizorinat e bame prej anmikut ka për të mbet shënue edhe për me i dëftue Evropës e Amerikës.