Kreu i shtetit Hashim Thaçi, ka komentuar deklaratat e komisionarit për zgjerim, Johannes Hahn, në Beograd.
“Komisioneri Hahn i prekur nga shqetësimet e Serbisë, paska shprehur zhgënjimin e tij për deklaratat që gjoja përfshijnë tendencat për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Për më tepër, ai paska shtuar se BE-së nuk mund t’i bëhet presion me deklarata të tilla”, ka thënë Thaçi në profilin e tij në Facebook.
Presidenti i Kosovës ka shtuar tutje se “fatkeqësisht, një deklaratë e tillë e një komisioneri të BE-së dëshmon saktësisht atë që e kam thënë shumë herë deri më tash, se BE-ja ka mungesë të lidershipit dhe vizionit për konkretizimin e perspektivës evropiane për Kosovën”.
“Kjo qasje dëshmon se BE-së, në rastin më të mirë, nuk i bëhet vonë kurrë për Kosovën. Ndërsa, në rastin më të keq, as që do t’ia dijë fare. Diskriminimi dhe izolimi i qytetarëve tanë sot, flet shumë më tepër se deklaratat monotone të disa zyrtarëve të BE-së që përsëriten që nga viti 2000”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka thënë se projekti i Shqipërisë së Madhe është produkt i propagandës së Serbisë për të realizuar projektin e Serbisë së Madhe, i cili tashmë pothuajse funksionon nën hundën e BE-së.
“Nuk ka Shqipëri të madhe apo të vogël, por ka vetëm Shqipëri dhe vetëm Kosovë. Dhe do të ishte mirë që edhe BE-ja ta pranojë këtë realitet dhe të fillojë ta trajtojë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”, ka thënë Thaçi.