Tre vjet më herët, më 26 shkurt të 2016-s, Hashim Thaçi arriti të bëhej president i Kosovës nën gaz lotsjellës brenda Kuvendit e kundërshtime e protesta jashtë.
Tre vjet pas, njeriu që nga partitë në pushtet atë kohë u votua për të qenë unifikues, po akuzohet çdo ditë se po e vë në pazar territorin me idenë e korrigjimit të kufijve me Serbinë, raporton KTV.
Deputetët që atë kohë e kundërshtuan zgjedhjen e Thaçit drejt ngjitjes në krye të shtetit, thonë se ai nuk e përfaqëson unitetin e popullit.
Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje e quan fatkeqësi që Kosova e ka një president që bën lojë me territorin.
Por, Haxhiu thotë se do ta ndalin me çdo kusht projektin e tij të dëmshëm, me kundërshtime në Kuvend e me protesta nëpër sheshet e kryeqytetit.
Në partinë e kryeministrit Ramush Haradinaj, thonë se secili zyrtar institucional e ka detyrë të mbrojë Kosovën dhe territorin e saj me kufijtë, në kohën e shpalljes së pavarësisë.
Për Nismën Socialdemokrate, Thaçi nuk është shquar asnjëherë për qasje unifikuese, as kur ishte opozitë e as pozitë.
Hashim Thaçi la pozitën e kryeministrit dhe pas një krize të gjatë politike, arriti të marrë 71 vota vetëm në rundin e tretë të votimit për t’u zgjedhur president i Kosovës.