Liqeni që gjendet në kufirin midis Kosovës e Shqipërisë me kapacitet për të mbajtur mbi 3 miliardë metër kub ujë, së fundmi është tharë tërësisht. Muaj më parë niveli i ujit ka qenë shumë lartë, por mungesa e reshjeve e kanë çuar në këtë situatë, njofton gazetari i SYRI TV.
Nga pamjet e marra të dielën, liqeni i Vërmicës në pjesën e Kosovës, pjesë e liqenit të Fierzës, që përbën kaskadën e Drinit, tashmë është kthyer në një kullotë për lopët.
Mbi sipërfaqen e tokës tashmë të gjelbëruar ka dalë edhe objekti i Doganës së vjetër, që dikur ashtu si guri dhe rruga e vjetër, ishte nën ujin e liqenit të Vërmicës.
Ndërkohë, liqeni i Fierzës në pjesën veriore të vendit tonë, ashtu si i Vërmicës, vijon sërish të ketë rënie të nivelit të ujit, pavarësisht reshjeve të shiut në Kukës, tri ditët e fundit që e kanë rritur nivelin vetëm me 30 cm.
Mungesa e reshjeve dhe prodhimi I energjisë në HEC-in e Fierzës e kanë çuar nivelin në 267.12 metër me prurje 100 m3/s. Ndryshe, të dhënat më të fundit nga KESH tregojnë se HEC-et në kaskadën e Drinit janë pranë pikës së vdekjes.
Situata aktuale në HEC-et mbi Drin:
Prurjet natyrore në kaskadë janë : HEC Fierzë -100 m3/s,HEC Koman-120 m3/s,HEC Vau i Dejës -70 m3/s.
Nivelet në liqenet e Kaskadës së Drinit janë: Hec Fierzë-267.12 mmnd,Hec Koman-172.61 mmnd,Hec Vau Dejës -74.38 mmnd.
Rezerva Energjetike është: 431 GWh. Prodhimi ditor: 7,220 MWh.
© SYRI.net