Një 17-vjeçar, nxënës në shkollën “Çajupi” u rrëmbye për disa orë në Tiranë nga babai i një vajze të cilën adoleshenti e njohu në rrjetet sociale.
Ngjarja fatmirësisht është mbyllur pa incidente pasi targa e makinës me të cilën J.I u rrëmbye dhe u mbajt peng u raportua në polici. 17-vjeçari thotë se njohu në Snapchat një vajzë me te cilën po komunikonte prej 2 javësh.
Adoleshenti më pas ndërroi numrat e telefonit me bashkëmoshataren me të cilën filloi të flasë përditë.
“N. më shkroi në mesnatë” – thotë adoleshenti dhe më kërkoi takim, mbasi numrin tjetër ja kishte zbuluar i ati. Por kur J.I ka mbërritur në vendin e takimit ai është pritur nga një shtetas që mbasi e ka qëlluar me shpulla e ka hipur në automjet.
“Ti je J. më tha ky person rreth 35 vjeç dhe më kapi për krahu, më tha hajde futu në makinë”, tregon adoleshenti.
17-vjeçari gjatë udhëtimit është pyetur nëse vajza me të cilin komunikonte a kishte apo jo adresa të tjera dhe nëse fliste me persona të tjerë.
Nuk ka mjaftuar kaq, por më tej 17-vjeçari tregon se është goditur në afërsi të liqenit të Farkës ku i është bërë presion.
“Më tha që do shkonte të merrte vajzën për ballafaqim”, tregon 17-vjeçari që kujton se kur mbërritën në Sauk , bashkëmoshatarja po e priste së bashku me gjyshen.
Teksa i ati i saj që është shpallur në kërkim i ka marrë dy adoleshentët në mjet, në afërsi të liqenit I.Sh është njoftuar se targa ishte shpallur në kërkim.
Adoleshenti i thotë policisë se pas rrëmbimit, babai i vajzës e ka zbritur në afërsi të një stacioni autobusash në Shkozë duke i thënë:
“Mos i trego askujt se unë sa kam dalë nga burgu dhe do ju vras”. (TopChannel)