Ndonëse 76-vjeçar, Jozhe Pirjevec është një burrë shëndetplotë, mendjekthjellët, plot humor. Jeton në Trieste, aty ku u lind si pjesëtar i pakicës sllovene, në një shtëpi të vjetër dhe madhështore, me një oborr si park.
Pas Luftës së Dytë Botërore familja e tij iku nga Jugosllavia në Territorin e Lirë të Triestes. “Babai im ishte antikomunist”, thotë Pirjevec në dhomën e tij të punës, që dominohet, natyrisht, nga librat, shkruan Koha Ditore.
Pirjevec ka diplomuar për histori në universitetet e Triestes dhe Pisas në Itali, ka vazhduar studimet në Akademinë Diplomatike të Vjenës dhe ka doktoruar më 1977 në Lubjanë nën mbikëqyrjen e historianit Fran Zwitter, i njohur si njëri nga themeluesit e Shkollës së Lubjanës të Historiografisë. Gjatë karrierës së tij Pirjevec ka qenë profesor i ftuar në shumë universitete amerikane dhe evropiane. Dhe ka gjetur kohë të udhëtojë në Indi, Uzbekistan dhe në shkretëtirën Gobi.
Në fillim të karrierës së tij shkencore Pirjevec u mor me raportet mes Italisë dhe sllavëve të jugut gjatë Risorgimentos, lëvizjes politike dhe sociale italiane, e cila synonte unifikimin e Italisë. Më vonë u thellua në historinë ruse, pastaj iu përkushtua plotësisht historisë së Jugosllavisë dhe të sllovenëve në Itali dhe – mbi të gjitha – biografisë së Josip Broz Titos, liderit që themeloi Jugosllavinë e dytë dhe u bë personalitet i respektuar i kampit komunist në botë. Biografia e Titos e shkruar prej tij së fundi është botuar në Gjermani dhe ka marrë kritika shumë të mira. Më parë libri, pas sllovenishtes, është publikuar në kroatisht, serbisht, italisht, së shpejti pritet botimi në anglisht dhe polonisht.
Për të zhvilluar intervistën Jozhe Pirjevec kishte zgjedhur një restorant lart mbi Trieste, me pamje mahnitëse mbi këtë qytet. “E shihni atje, në horizont, atje duken Sllovenia dhe Kroacia”, thotë Pirjevec. (Intervistën e plotë me historianin slloven Jozhe Prijevec mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)