Togeri i Policisë dënohet me shtatë vjet burg

Një trup gjykues i përbërë nga dy gjyqtarë ndërkombëtarë dhe një vendas, në Gjykatën Themelore të Ferizajt, i kryesuar nga një gjyqtar i EULEX-it, e dënoi të pandehurin M.S. lidhur me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, marrjes së ryshfetit, ushtrimit të ndikimit, ofrimit të ndihmës për kryesit pas kryerjes së veprës penale dhe të mos-raportimit të veprave penale.

Në një njoftim për media thuhet se trupi gjykues i shqiptoi dënimin e përgjithshëm prej shtatë vjet burgim si dhe ia ndaloi të pandehurit mbajtjen e ndonjë pozite zyrtare për një periudhë prej pesë vjetëve pas lirimit.

Në kohën e kryerjes së veprave penale i pandehuri ishte i punësuar në Policinë e Kosovës dhe mbante gradën e togerit. Përveç kësaj, trupi gjykues e urdhëroi të pandehurin t’ua kthejë palëve të dëmtuara paratë e marra në mënyrë të paligjshme nga ata.

“Trupi gjykues e shfajësoi të pandehurin, M.S. nga një pikë e aktakuzës lidhur me mos-pagesën e obligueshme të taksave doganore, nga një pikë për ofrimin e ndihmës për kryesit pas kryerjes së veprës penale dhe nga një pikë për posedimin e paautorizuar të armëve të zjarrit. Trupi gjykues e shfajësoi të bashkë-akuzuarin, V.T. nga vepra penale e mos-pagesës së obligueshme të taksave doganore”, thuhet në njoftim.

Nga njoftimi, po ashtu bëhet e ditur se në fillim ishin shtatë të pandehur në këtë rast.

“Të pandehurit, B.S., R.A. dhe B.V. e pranuan fajësinë për veprat penale përfshirë keqpërdorimin e pozitës zyrtare, marrjen e ryshfetit, ushtrimin e ndikimin, zhvatjen, shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm dhe posedimin e paautorizuar të armëve të zjarrit. Trupi gjykues atyre u shqiptoi dënime me burg dhe dënime financiare. Të pandehurit, S.M. dhe A.M. kanë ikur dhe ndodhen në arrati. Trupi gjykues ka nxjerrë fletë-rreshtim në vend dhe ndërkombëtar për arrestimin e tyre. Rasti është ndjekur penalisht nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së. Të gjitha palët kanë të drejtë ankese”, thuhet në fund të njoftimit.