Gazetare: Fatlume Dervishi
Nga Ministria e Punëve të Brendshme akoma nuk konfirmojnë nëse bëhet fjalë për pozitën e kryeshefit të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, për të cilën ministri tha se i është refuzuar nga qeveria. Ky sektor prej kohësh përflitet për përplasje të brendshme për pozitën e kryeshefit të policisë. Ndërkohë, ministri i Brendshëm teknik nga radhët e VMRO-DPMNE-së Pançe Toshkovski ka të drejtë të zgjedhë 15 pozita për të vendosur kuadro të tij. Ai ditë më parë tha se qeveria i kishte miratuar 14 nga 15 pozitat e kërkuara, por i kishte refuzuar njërën pa arsyetim.
Alsat dërgoi pyetje edhe në qeveri, se cila është arsyeja që ministrit Toshkovski nuk i janë miratuar të gjitha 15 pozitat e kërkuara kadrovike, a është e vërtetë që i është refuzuar pozita e kryeshefit të SPB-së në Tetovë dhe cila është arsyeja. Nga ekzekutivi shkurt u përgjigjen se në seancën e hapur të qeverisë, nuk ka pasur pikë të tillë të rendit të ditës. Nuk mund të zbardhen informacione nëse kjo ka ndodhur në seancën e mbyllur.
Ndërkohë, ditë më parë, nënkryetari i VMRO-DPMNE-së Aleksandar Nikollovski, kishte thënë se posti i kryeshefit të policisë në Tetovë do të jetë për kuadër të përzgjedhur në koordinim me kreun e Komunës së Tetovës.
“Sa i takon Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë që i mbulon Komunën e Tetovës, të Gostivarit dhe komunat më të vogla përreth, ministri teknik për Punë të Brendshme do të ketë takim dhe konsultim me kryetarin e Komunës së Tetovës dhe do të kërkojë prej tij të japë pikëpamjen e tij, sugjerimin dhe propozimin e tij për kryeshef”, deklaroi Aleksandar Nikollovski, nënkryetar i VMRO–DPMNE-së.
Ndryshimet kadrovike janë e drejtë ligjore e ministrit të Brendshëm teknik, për të siguruar funksionimin operativ të ministrisë deri në zgjedhje, aq sa të zgjasë mandati i tij. /Alsat.mk