Trafik klandestinësh, 32 të arrestuar

Një operacion i gjerë i policisë dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, çoi sot në goditjen e një grupi të dyshyar kriminal i cili merrej me trafikimin e klandestinëve duke ju mundësuar personave të ndryshëm kalimin në shtetet e Bashkimit Europian, me destinacion kryesor Shtetet e Bashkuara, Kanadanë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Operacioni i cili u ndihmua dhe nga agjentë të Sigurisë së Shërbimit Diplomatik të atashuar në Ambasadën Amerikane, çoi në arrestimin e 32 anëtarëve të grupit ndërsa katër të tjerë u shpallën në kërkim.

Operacioni u shtri në të paktën 13 qytete të vendit, dhe në të u angazhuan mbi 250 forca policore. Sipas njoftimit të përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë së Krimeve të rënda bëhet fjalë për vijimin e hetimeve të cilat vitin e kaluar çuan në goditjen e të njejtit grup. “Nga veprimet hetimore të kryera në funksion të këtij procedimi penal rezultoi se anëtarët e grupit të strukturuar kriminal, siguronin persona, të cilët kishin interes për të udhëtuar në shtetet e BE-së, si dhe atyre shtetasve që iu ishte ndaluar hyrja në një nga vendet e hapësirës SCHENGEN. Anëtarët e këtij grupi – shpjegon njoftimi – pasi i pajisnin shtetasit me dokumente identifikimi të falsifikuara, kundrejt përfitimit monetar u krijonin kushtet në mënyrë të paligjshme të udhëtonin drejt vendeve të BE-së, me linja ajrore ose tokësore e më pas drejt SHBA-së, Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke paguar shuma të konsiderueshme nga 10 mijë paund për në Mbretërinë e Bashkuar, deri në 20 mijë euro për në SHBA e Kanada. Nisja e personave me dokumente të falsifikuara bëhej nga Shqipëria, Mali i Zi, Italia, Greqia, Franca dhe Norvegjia”.

Nga hetimet ka rezultuar se grupi “ka pajisur me dokumente të falsifikuara edhe shtatas me rrezikshmëri të lartë shoqërore”. I implikuar rezulton të jetë dhe një punonjës policie “i cili duke shpërdoruar detyrën ka kryer veprime korruptive kundrejt shumave monetare, si dhe ka ndihmuar pjesëtarët e këtij grupi kriminal duke shfrytëzuar të dhënat që dispononte për shkak të detyrës në një pikë kontrolli kufitar”.

Gjatë operacionit “u zbuluan e sekuestruan 4 laboratorë në Shqipëri që shërbenin për falsifikimin e dokumenteve, pajisje të ndryshme si skaner, fotokopje, një sasi e madhe parash cash, certifikata, karta identiteti, një numër i konsiderueshëm dokumentash të personave si dhe një armë zjarri automatik”. Autoritetet njoftuan se për të gjithë të arrestuarit “ka filluar hetimi pasuror në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme