Ndërmarrja “Trafiku Urban” duhet të fillojë që të kthejë kredinë për blerjen e autobusëve të rinj që nga mesi i këtij viti, kur edhe përfundon “greis perioda” ”(periudha e lirimit nga fillimi për kthimin e kredisë), për të cilën ka pasur marrëveshje me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Ndërkohë që ajo ende nuk e ka në qarkullim gjysmën e autobusëve të rinj, të cilët janë blerë para një viti e gjysmë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Komuna e Prishtinës, si garantuese e kredisë prej 10 milionë eurosh për blerjen e 51 autobusëve të rinj për kryeqytetin, do të duhet të kthejë këtë kredi nëse “Trafiku urban” dështon ta bëjë këtë. Përderisa gjendja financiare e kësaj ndërmarrjeje vazhdon të jetë e pafavorshme për kthimin e kësaj kredie. Ajo ende nuk ka filluar të gjenerojë të hyra nga autobusët e rinj, përderisa prej vitesh është ballafaquar me krizë financiare.
Në anën tjetër, përderisa kontingjenti i parë i autobusëve të rinj të blerë nga kompania “Iveco” ka ardhur në Prishtinë para një viti, kontingjenti i dytë prej 21 autobusëve nuk ka arritur ende, ani pse fillimisht drejtues të Komunës patën premtuar se ata do të vinin në pranverën e vitit që shkoi, dhe pastaj datat vazhdimisht janë shtyrë deri në muajin tetor.